Nënkryetari i Komunës së Gjilanit, Arbër Ismajli, në takimin e mbajtur sot me Komitetin e Emergjencave, për parandalimin e pandemisë globale COVID-19, ka kërkuar angazhimin maksimal në respektimin e rekomandimeve të qeverisë dhe njëkohësisht ka falënderuar qytetarët e Gjilanit për lojalitetin e vazhdueshëm.
Ai më tej ka potencuar se duke u bazuar në konastatimet e ekspertëve në nivel vendi, rreziku nga pandemia COVID-19 është i lartë, prandaj ka ftuar përgjegjësit e institucioneve që të ketë një kujdes maksimal me stafin, gjithashtu nga sektori privat dhe qytetarët, që të respektojnë masat mbrojtëse konform rekomandimeve të Institutit Kombëtar të Shëndetësisë dhe të mjekëve.
“Gjendja e përgjithshme në Gjilan është e qetë dhe nën kontroll të vazhdueshëm, falë angazhimit të stafit mjekësor në dy nivelet primare dhe sekondare, pastaj angazhimit të vazhdueshëm të Policisë së Kosovës dhe lojalitetit qytetarë në përgjithësi duke përfshirë edhe sektorin e biznesit privat, që po zbatojnë rekomandimet e shtetit. Vetëdijësimi në Gjilan tashmë është bërë pjesë e të jetuarit dhe masat mbrojtëse në një përqindje të lartë janë duke u respektuar”, ka thënë nënkryetari Ismajli.
Më tej Ismajli ka ndarë dhembjen me të gjithë familjet gjilanase që në këtë kohë pandemie kanë humbur më të dashurit e tyre për shkak të virusit, i cili është një kërrcënues serioz, por siç tha ai duhet t’i bëjmë ballë.
“Në asnjë moment nuk i harrojmë familjet gjilanase që kanë humbur më të dashurit e tyre. Me të gjitha ndajmë dhimbjen dhe do të jemi pranë tyre vazhdimisht. Të infektuarit që janë duke luftuar me virusin, janë pjesë e jona dhe urojmë që sa më parë ta kalojnë këtë sfidë”, ka thënë mes tjerash nënkryetari Ismajli.
Deri më tani nga statistikat e përgjithshme Gjilani ka 844 të infektuar, prej tyre 648 janë të shëruar plotësisht, 163 janë raste aktive, 33 të vdekur, ndërsa të hospitalizuar janë 49 pacient, derisa mostra në pritje janë 19.
Apeli i përbashkët është kujdesi maksimal, ruajtja e distancës dhe përdorimin e maskave, dezinfektuesve dhe mosgrumbullimi.