Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) ka publikuar të dhënat e tregtisë së jashtme për muajin maj 2026, sipas të cilave deficiti tregtar i Kosovës është rritur për 4,0% krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar.
Sipas ASK-së, deficiti tregtar në maj 2026 ka arritur në 544,4 milionë euro, nga 523,4 milionë euro sa ishte në maj 2025.
Në këtë periudhë, eksportet e Kosovës kanë arritur vlerën 94,1 milionë euro, ndërsa importet 638,6 milionë euro.
Krahasuar me vitin e kaluar, eksportet janë rritur për 15,7%, ndërsa importet për 5,6%.
Eksporti ka mbuluar importin me 14,7%.
Sipas strukturës së eksporteve, pjesën më të madhe e përbëjnë metalet bazë dhe artikujt prej tyre (27,5%), plastika dhe goma (11,1%), ushqimet e përgatitura, pijet dhe duhani (10,7%), si dhe artikujt e ndryshëm të prodhuar (8,9%).
Ndërkohë, në importe dominojnë produktet minerale (15,2%), ushqimet e përgatitura, pijet dhe duhani (12,6%), makineritë dhe pajisjet (12,0%), si dhe mjetet e transportit (11,7%).
Sa i përket partnerëve tregtarë, eksportet e Kosovës drejt Bashkimit Evropian kanë arritur në 30,8 milionë euro, ndërsa importet nga BE-ja në 301,3 milionë euro. Gjermania dhe Italia mbeten ndër partnerët kryesorë tregtarë.
Në kuadër të CEFTA-s, eksportet janë rritur në 43,1 milionë euro, me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë si tregjet kryesore, ndërsa importet kanë arritur në 85,3 milionë euro.
Ndër vendet e tjera, eksportet e Kosovës janë 20,3 milionë euro, me Zvicrën dhe Turqinë si destinacione kryesore, ndërsa importet nga këto vende kanë arritur në 252,0 milionë euro, ku dominojnë Kina dhe Turqia.

