Po bëhet gjithnjë e më e qartë se njerëzit kanë më pak të ngjarë të vdesin nëse marrin covid-19 tani krahasuar me fillimet e pandemisë, të paktën në Evropë, por arsyet pse mund të ndodhë kjo janë të paqarta.
Një mjek britanik ka thënë se coronavirusi po bëhet “më pak i zemëruar”, ndërsa një konsulent i sëmundjeve infektive në Universitetin Kombëtar të Singaporit pohoi se një version i ndryshuar i coronavirusit, D614G, po e bën sëmundjen më pak vdekjeprurëse.
Në Angli, përqindja e njerëzve të infektuar nga coronavirusi të cilët më pas ndërruan jetë, ishte më e ulët në fillim të gushtit sesa ishte në fund të qershorit. Gjatë periudhës, kjo shkallë e fatalitetit të infeksionit (IFR) ra me ndërmjet 55 dhe 80 përqind, varësisht nga grupi i të dhënave që përdoren, thonë Jason Oke në Universitetin e Oksfordit dhe kolegët e tij. “Kjo nuk duket të jetë e njëjta sëmundje, ose aq vdekjeprurëse sa ishte më herët kur pamë një numër të madh njerëzish që vdisnin,” thotë ai. Për shembull, java që fillon më 17 gusht pa 95 njerëz të vdekur dhe pak më shumë se 7000 raste në të gjithë Mbretërinë e Bashkuar. Në javën e parë të prillit, 7164 vdiqën dhe gati 40,000 rezultuan pozitivë.
Pjesëtimi i vdekjeve me rastet jep një shkallë fataliteti të papërpunuar prej rreth 1 përqind në gusht, krahasuar me gati 18 përqind në prill. Këto shifra nuk përfaqësojnë IFR-të e vërteta në këto kohë – sepse vdekjet mbeten prapa infeksioneve për disa javë dhe sepse regjimet e testimit kanë ndryshuar me kalimin e kohës – por ato janë tregues i një ndryshimi në IFR. Oke dhe kolegët e tij përdorën një metodë më të sofistikuar për të vlerësuar ndryshimin në IFR.
Situata nuk është unike për Anglinë dhe pjesën tjetër të Mbretërisë së Bashkuar, thotë Oke, i cili ka gjetur të njëjtën tendencë të përsëritur në të gjithë Evropën.
Pse po ndodh kjo, nuk është e qartë. Sipas të dhënave për Anglinë, një pjesë më e madhe e të rinjve po infektohen sesa po ndodhte rreth pikut të parë të rasteve në Prill, me normat e rasteve për 10 deri 16 Gusht, më të lartat midis 15 dhe 44 vjeçarëve, njofton bota.al.
Covid-19 dihet që është më pak i rrezikshëm sa më i ri të jesh, kështu që ndryshimi demografik i atyre që infektohen mund të jetë një arsye e besueshme që sëmundja aktualisht duket më pak vdekjeprurëse. Megjithatë Oke nuk mendon se ndryshimi në shpërndarjen e moshës është i mjaftueshëm për të shpjeguar atë që po ndodh. Ka akoma shumë të moshuar që testojnë pozitivë, thotë ai.
Disa studiues i thanë “New Scientist” se shpjegimi tjetër kryesor i mundshëm është që rastet po trajtohen në mënyrë më efektive në spitale. Shpjegime të tjera të mundshme përfshijnë një natyrë stinore të sëmundjes si me gripin, ose që edhe pse më shumë njerëz po testohen pozitivë, shumë nga ato raste kanë nivele relativisht të ulëta të virusit, sepse njerëzit po ndjekin udhëzimet e distancimit social. Asnjëra nga idetë nuk është provuar ende.
Nuk dihet gjithashtu nëse një variant i coronavirusit, i njohur si D614G, shpjegon pse covid-19 po bëhet më pak vdekjeprurës. Paul Tambyah në Universitetin Kombëtar të Singaporit i tha Reuters se rritja e mutacionit D614G kishte përkuar me uljen e nivelit të vdekjeve në disa vende, duke sugjeruar se mund të ishte “më infektues, por më pak vdekjeprurës”.
Kërkime të tjera nuk pajtohen, duke arritur në përfundimin se ndërsa D614G mund të jetë më ngjitës, nuk ka prova se është më pak vdekjeprurës. Një studim i udhëhequr nga Erik Volz në Imperial College London, botuar këtë muaj por ende jo i rishikuar nga kolegët, shqyrtoi gjenomën e mostrave të virusit të marra nga 19,000 pacientë në Mbretërinë e Bashkuar, së bashku me faktin nëse ata kishin vdekur nga covid-19.
“Ne nuk shohim rrezik të zvogëluar të vdekjeve për shkak të variantit D614G”, thotë Volz. Ai shton se moskontrolli për moshën e pacientëve në modelim mund të çojë në një “përfundim të rremë” se mutacioni “ka rezultate më pak të rënda”./ New Scientist/