Ministria e Arsimit dhe Shkencës (MASh) është e gatshme që nesër e hëne të filloj procesi mësimorë. Këtë e ka bërë të ditur, ministri i Arsimit dhe Shkencës, Ramë Likaj, i cili fillimisht ka uruar të gjithë nxënësit për fillimin e vitit të ri shkollor.
Likaj ka thënë se vendimi për hapjen e shkollave ka qenë më i vështiri në karrierën e tij. Ai ka thënë se janë bërë të gjitha përgatitjet si dhe janë pastruar të gjitha shkollat.
“I uroj të gjithë nxënësit për vitin e ri shkollor. Vendimi për fillimin e vitit të ri shkollor ka qenë më i vështiri në karrierën time. Vendimi për hapjen e tyre është i rëndësishëm edhe i mirëpritur. MASH tash e disa muaj ka bërë përgatitjet e mundshme. Janë pastruar shkollat dhe janë vendosur udhëzimet se si të sillemi në shkolla, është përgatitur master-plani i cili është miratuar me një vendim të posaçëm me buxhet shtesë prej 12,5 milionë euro. Secili institucion arsimor e ka krijuar task-forcën e vet. Janë shpërndarë tekste mësimor për të gjithë nxënësit, po ashtu janë trajnuar edhe mësimdhënësit”, tha Likaj.
Po ashtu ai ka thënë se edhe inspektorati i arsimit gjatë gjithë kohës do të jetë në teren për të vlerësuar situatën në shkolla. Ai ka pohuar se MASH ka ndarë mbi gjysmë milioni maska në shkollat e Kosovës.
“Inspektorati arsimit ka organizuar vizita në teren për të vlerësuar gjendjen në shkolla dhe pa paralajmërime. Ora e parë do ti kushtohet pandemisë dhe një orë në javë ti kushtohet pandemisë. Të gjithë pjesëmarrësit në shkolla janë të obliguar të bartin maska dhe MASH ka shpërndarë mbi gjysmë milion maska. 300 mësimdhënës me probleme shëndetësore do të jenë në pushim”, tha ai.