Rotarianët gjilanas kanë vazhduar me fazën tjetër të realizimit të projektit të vendosjes së shportave për mbeturina në qytetin e Gjilanit dhe kësaj here ato janë vendosur në hapësirat te shkollën fillore “Selami Hallaqi”.
Në muajin gusht, dhjetëra shporta të mbeturinave ishin vendosur përgjatë dy anëve të trotuareve, nga hapësira afër bibliotekës në rrugën “Avdullah Tahiri”, deri te rrethrrotullimi te pompa e benzinës në rrugën “Lufta e Gjilanit ‘44” dhe tani edhe te shkolla fillore “Selami Hallaqi”, ndërkohë që rotarianët kanë premtuar se projekti në fjalë do të vazhdojë edhe në pjesë të tjera të qytetit.
Kështu, rotarianët gjilanas po vazhdojnë me realizimin e projekteve në të mirë të qytetarëve me zotimin se nuk do të ndalen dhe në këtë drjetim kanë falënderuar të gjithë ata që i vlerësojnë projektet e tyre, por edhe që bashkëpunojnë dhe i mbështesin angazhimet rotariane, dhe për këtë projekt ata kanë falënderuar edhe institucionet komunale, përkatësisht zyrën e kryetarit të komunës.
Përndryshe, aktivitetet dhe realizimi i projekteve të rotarianëve gjilanas, në të mirë të gjilanasve e më gjerë, të kësaj natyre, apo edhe projekte të tjera që përputhen me misionin që ka Rotary, për të ndikuar pozitivisht në jetën e qytetarëve, do të vazhdojnë edhe në të ardhmen. /2LONLINE.com/