Drejtoresha e Klinikës së Pulmologjisë, Rukije Mehmeti, ka sqaruar për KOHËN rastin e një kufome e cila po qëndron në njërën nga dhomat e kësaj klinike, për rreth shtatë orë.
Ajo ka thënë viktima është sjellë në gjendje të rëndë shëndetësore nga Emergjenca dhe ende nuk ka pasur rezultat nëse ajo ka qenë apo jo e infektuar me COVID-19.
Sipas saj, në mungesë të rezultatit, obligimi ka qenë i familjes që ta bartë kufomën në morg.
“Rasti kur ka ardhur nga emergjenca shumë shpejtë ka vdekur në Klinikën tonë. Ne e kemi pasur rastin të dyshimtë sepse nuk ka pasur rezultat, familjarët nuk kanë dashur ta marrin obligim që ta dërgojnë në morg sepse nuk kanë dashur të bëjnë shpenzime të dyfishta. Nëqoftëse e dërgojnë në morg duhet ta paguajnë veturën dhe në qoftëse është negativ edhe në morg atëherë duhet të paguajnë edhe për dërgimin në shtëpi ose në varreza, ata kanë thënë se nuk duan të bëjnë shpenzime të dyfishta. Familjarët e kanë lënë në klinikë, dhe jo klinika. Tash ka ardh rezultati Covid pozitiv dhe tashmë për dy-tre minuta dërgohet në morg”, ka thënë ajo.
Mehmeti ka sqaruar tutje se pas marrjes së rezultatit, obligimi për heqjen e kufomës është i Klinikës dhe sipas saj për pak minuta ajo do të dërgohet në morg.
Sipas saj, ky është rasti i dytë i ngjashëm. Një i tillë kishte ndodhur edhe në muajin mars.
Rastin e ka publikuar në Facebook një qytetar, derisa ka bërë të ditur se kufoma po qëndron bashkë me pacientë të cilët po marrin trajtim për COVID-19.