Shoqata e Gastronomëve i ka bërë sot thirrje institucioneve të Kosovës që të aprovojnë kërkesat e saj lidhur me zgjatjen e orarit të qarkullimit të personave fizikë jashtë shtëpive/banesave të tyre deri në orën 24:00 në mesnatë.
Gastronomët përmes një postimi në Facebook paralajmërojnë se në rast të injorimit të kërkesave të tyre, atëherë ata nesër do të ndërmarrin hapa të tjerë për aktivitetet e radhës.
Postimi i plotë:
Shoqata e Gastronomëve të Kosovës iu bën thirrje urgjente institucioneve publike të Republikës së Kosovës që të aprovojnë kërkesat e saj, tashmë të njohura për publikun, lidhur me orarin e funksionimin të subjekteve të shërbimeve të Gastronomisë dhe lidhur me zgjatjen e orarit të qarkullimit të personave fizikë jashtë shtëpive/banesave të tyre deri në orën 12:00 në mesnatë.
Përveç peticionit të përpiluar më dt. 01/09/2020 dhe Kërkesës lidhur me shfuqizimin e pikave 2 dhe 18 të Vendimit nr. 01/17 të parashtruar më dt. 09/09/2020 e të protokolluara nga Zyra e Kryeministrit, gjegjësisht Ministria e Shëndetësisë në kuadër të Qeverisë së Kosovës.
SHGK ka kërkuar në secilin takim zyrtar dhe jozyrtar që ka realizuar, që me prioritet të lartë të merren kërkesat e saj, mirëpo deri më tani asnjë nga to nuk është trajtuar siç duhet.
Andaj, lidhur me shqetësimet që ka sektori i gastronomisë sa i përket gjendjes aktuale në të gjithë vendin, SHGK gjithmonë do t’i dëgjojë ato dhe do t’i dalë në mbrojtje, sa herë që e kërkon nevoja apo urgjenca në rastin konkret.
Në kuptim të aktiviteteve të ardhshme për të cilat do të vendoset që të aplikohen, bëhet e ditur nesër pas mbledhjes së jashtëzakonshme të thirrur nga kryetari i Shoqatës së Gastronomëve të Kosovës Petrit Kllokoqi, në Kuvendin e Anëtarëve të Shoqatës, duke ju siguruar se ato gjithmonë do të jenë demokratike dhe në frekuencë të njëjtë me veprimet apo mosveprimet e pushtetit.