Kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri dhe ministrja e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Vlora Dumoshi, në shtëpinë e rinisë në Gjilan, sot kanë promovuar projektin “S’Duhani” të qendrës studentore “Kadri Zeka”, që i dedikohet të rinjëve në formën e vetëdijësimit kundër përdorimit të duhanit dhe ruajtjes së shëndetit.
Kryetari Lutfi Haziri, ka falënderuar ministren Dumoshi për mbështetjen dhe vëmendjen që ka ndaj kulturës, sportit dhe veçanërisht rinisë së Gjilanit dhe Kosovës, e cila është e dëshmuar në gjallërinë dhe kontributin e madh që e jep në shoqëri.
“Sot jemi mysafir të qendrës studentore “Kadri Zeka”, e cila në një konkurencë shumë të madhe ka arritur që të jetë përfituese me projektin S’Duhani. Mos e pini duhanin sepse ka efekte të rrezikshme, pastaj pasoja të pashërueshme dhe njëkohësisht një imazh jo të mirë në shoqëri. Nga Gjilani kemi edhe katër fitues të tjerë në MKRS të programeve të OJQ-ve dhe në kuadër të kësaj Komuna e Gjilanit ka bashkangjitur edhe fondin e vet prej 100 mijë euro, me qëllim të mbështetjes së projekteve që u dedikohen rinisë përmes OJQ-ve dhe qytetarëve në përgjithësi”, ka thënë kryetari në fjalën e tij.
Ai ka falënderuar ministren edhe për mbështetjen që e ka konfirmuar për manifestimin “Flaka e Janarit” tashmë e radhitur si pjesë e trashëgimisë shpirtërore, sikur që edhe konfirmime faktike të mbështetjes së drejtuar në dikaster të ndryshëm të kulturës, rinisë dhe sportit.
Ndërsa, në fjalën e saj, Vlora Dumoshi, ministre e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, ka theksuar se MKRS është e përkushtuar që me mbështetje përmes granteve, subvencioneve dhe projekteve të ndryshme të arrij zhvillimin e qëndrueshëm të të rinjëve në ndërmarrësi, në shoqëri, në arsimim dhe në të gjitha fushat e tjera.
“Vetëm në këtë periudhë kohore të ndërmarrësisë kemi ndarë mbi 820 mijë euro për rininë, OJQ-të dhe aktivitetet rinore. Projekti S’Duhani, është me fokus të vetëdijësimit të të rinjëve për të mos qenë nesër përdorues të duhanit, sepse efektet e konsumit të tij dihen tashmë edhe shkenctarisht që janë shumë të rrezikshme. Mbështetje edhe më e madhe është dhënë edhe në fushën e kulturës dhe gjithashtu për sportin, ku jemi duke punuar në disa projekte milionëshe në infrastrukturë sportive në Gjilan. Thirrja publike e Gjilanit me 100 mijë euro të dedikuara në rini janë impresionuese sepse tregon përkushtimin e madh për rininë”, ka thënë ministrja Dumoshi.
Për ndryshe, projekti SD’Duhani, që është elaboruar nga Elitë Bardhi, parasheh vetëdijësimin e hershëm të rinisë, duke ofruar këshillat që nga moshat e reja të nxënësve e deri të studentët. Projekti kështë në tri pjesë të veprimit, përmes këshillave juridike, pedagogjike dhe psikologjike. Të gjithë të interesuarit pas këtij aktiviteti mund aplikojnë në ueb fazen e qendrës studentore “Kadri Zeka” dhe përzgjedhja bëhet në bazë të kritereve të parapara, për të vazhduar më pas me punëtoritë, në bazë të planit të punës.