Drita është kualifikuar në rundin e tretë të Ligës së Evropës, derisa ka eleminuar Sileksin në Shkup me rezultat të pastër 2-0, falë dy golave të realizuar në pjesën e dytë nga Fidan Gërbeshi dhe Ardian Limani, raporton Gazetasheshi.com.
Kampionët e Kosovës ishin më të mirë se skuadra kundërshtare, pothuajse gjatë tërë lojës, ndërkohë që konkretizuan vetëm dy gola nga shumë raste për shënim që kishin.
Trajneri i Dritës, Ardian Nuhiu, u prononcua para mediave në konferencën pas ndeshjes.
“Jam shumë i lumtur për fitoren. Normalisht që kisha njohuri për ekipin kundërshtar, por lojtarët ishin ata që e kryen punën”, deklaroi Nuhiu.
“Në pjesën e parë nuk arritëm të dalim në lojën tonë, ndërsa në pjesën e dytë lojtarët e morën veten dhe arritëm rezultatin që deshëm”.
“I uroj futbollistët për angazhimin dhe këtë fitore ua dedikojmë Intelektualëve”, shtoi ai.