Që nga fillimi i pandemisë Policia e Kosovës kreu punën e tyre me orar të stërzgjatur prej 12 orësh.
Më 13 qershor zyrtarëve të Policisë së Kosovës u ishte rikthyer orari i rregullt prej 8 orësh pas lehtësimit të masave të qeverisë së kaluar, por kjo nuk shkoi më gjatë se 13 korrik, kur Drejtori i përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Rashit Qalaj njoftoi se do të rikthehej orari prej 12 orësh në mënyrë që të kishte më personel të mjaftueshëm për asistencë ndaj institucioneve relevante, si dhe të merren masa sipas procedurave dhe vendimeve në fuqi ndaj atyre që nuk respektojnë masat dhe vendimet e institucioneve shtetërore të parapara ndaj COVID-19.
“Zëri” ka kontaktuar me drejtorinë rajonale të Prishtinës për ta pyetur se kur do të përfundoj ky orar, por në përgjigje u tha se ende nuk është marrë një vendim për kthimin e orarit prej 8 orësh.
“Policia e Kosovës zyrtarët e saj të cilët i ka të angazhuar sipas urdhrit operativ ndaj COVID-19, ende i ka të angazhuar në orarin 12 orësh. Nga momenti i kthimit-fillimit të punës në orarin e rregullt 8 orësh do të informoheni”, thuhet në përgjigjen e dhënë nga Polica.
Në anën tjetër burime të “Zëri”-t konfirmojnë se prej ditës së hënë, Policia do të kthehet në orarin e rregullt prej 8 orësh./Zëri/