Shoqata e Gastronomeve të Kosovës përmes një njoftimi ka bërë të ditur se me datë 25 shtator nga ora 14:00 deri 15:00 do të mbyllin bizneset e tyre dhe do t’i dorëzojnë kuponat fiskal para Qeverisë dhe Parlamentit të Kosovës.
Ata thanë se këtë herë nuk do të kenë mirëkuptim. “Këtë radhë nuk do të kemi mirëkuptim, sepse mirëkuptim për ne nuk pat as edhe një moment. Ne duam të jemi përgjegjës ndaj punonjësve tanë, familjeve të tyre dhe familjeve tona”.
Njoftimi i plotë:
NJOFTIM!!!
Edhe një herë u cenua e drejta e biznesit në Kosovë.
Edhe një herë shteti tregoi që nuk i intereson mirëqenia e asnjë punëtori në Kosovë.
Papunësia vetëm në pandemi shënoi rritje prej 30%, e mos të flasim për gjendjen e zakonshme që gjithnjë ka qenë katastrofale. Mos të flasim as për humbjet enorme të bizneseve.
Nuk kërkuam asgjë më tepër se sa MBIJETESË.
Vazhdimisht kërkuam që ky orar të rritet, gjithnjë duke i respektuar të gjitha masat.
Kërkuam edhe një njoftim se si të punojmë brenda lokaleve tona pasi që jemi në prag të vjeshtës.
Thirrjet tona për Kryeministrin, Qeverinë e Parlamentin po duket të jenë të kota.
Jemi shteti i vetëm në botë që skemi as plan, e as mbështetje për krizën e thellë, kemi vetëm retorikë boshe…
Herën e fundit kur Shoqata paralajmëroi dhe mbajti protestë, Policia e Kosovës me urdhër të Kryeministrit, na lejuan vetëm 7 minuta aktivitet, ne e mirëkuptuam Policinë, nuk donim arrestime e as përkeqësim të situatës, e as situata të palakmushme në mes të Policisë dhe Gastronomëve. Respektuam çdo urdhër e vendim që na u dha.
Këtë radhë nuk do të kemi mirëkuptim, sepse mirëkuptim për ne nuk pat as edhe një moment. Ne duam të jemi përgjegjës ndaj punonjësve tanë, familjeve të tyre dhe familjeve tona.
Fatkeqësisht më të lehtë dhe më të përballueshme e kemi të kalojmë kohë në qeli sesa të shohim shkatërrimin e asaj që ndërtuam me shumë mund. Neve nuk na ka mbetur asnjë alternativë tjetër, sepse po na e cënoni ekzistencën, më keq se kaq nuk ka.
I bëjmë thirrje të gjithë gastronomëve, punëtorëve, dhe çdo qytetari të Republikës së Kosovës që me datën 25.09.2020 nga ora 14:00 – 15:00, të mbyllin bizneset e tyre dhe të na bashkangjiten në ora 14:00 para Qeverisë dhe Parlamentit të Kosovës që të dorëzojmë kuponat fiskal!
Atë që virusi po ua shkakton njerëzve, ju po ia shkaktoni Gastronomisë së Kosovës.