Ka përfunduar takimi i Komitetit për koordinimin dhe vlerësimin e situatës emergjente me covid-19, ku pas takimit ministri i Shëndetësisë Armend Zemaj, tha se vlerësimet e përgjithshme rreth situatës epidemiologjike janë stabile.
“Vlerësimet e përgjithshme rreth situatës epidemiologjike janë stabile, janë me një ecje të sigurt në menaxhimin e kësaj situate. Pavarësisht numrit të rënies së infeksionit, stabilitetit që e kemi në institucionet tona shëndetësore kjo tregon që lufta e përbashkët me qytetarët është treguesi i qartë që zbatimi i masave të marra nga qeveria e Kosovës, rekomandimet e IKShPK-së dhe të miat kanë treguar rezultate të cilat duhet të përcillen”, tha ai.
Ministri Zemaj tregoi se cilat kanë qenë rekomandimet nga ky takim.
“Rekomandimet lidhen edhe me aspektin e riorganizimit të mëtutjeshëm të institucioneve tona. Do të bëjmë rikthimin gradual të te gjitha shërbimeve në spitalet tona. Kjo është domosdoshmëri. Me këtë siguri do të ecim edhe në vlerësimin e masave të reja qoftë në kufizimin kohor por edhe në disa aspekte në gastronomi, disa lirime në aktivitete sportive që ndërlidhen me garant ndërkombëtare. Lirimi i masave ka të bëjë me vlerësimin të cilin e kemi të situatës, personalisht dhe në emër te MSh jemi pak konservativ në ecjen apo në lirimin e tepruar. Nuk do të lejojmë që asnjë gabim i cili mund të na shkaktojë ndonjë problematik”, tha ai.
Ai u ka bërë thirrje deputetët e Kuvendit që ta votojnë ligjin për rimëkëmbjen ekonomike që tua lehtësojë humbjen bizneseve.