Drita do ta luajë ndeshjen më të rëndësishme evropiane në histori të klubit.
Kampioni në fuqi i Kosovës ka udhëtuar drejt Polonisë, ku do të përballet me gjigantin polak, Legia Varshavë.
E për këtë takim, Telegrafi ka biseduar me njërin nga gazetarët sportiv në Poloni, Arkadiusz Dudziak i cili punon për mediumin Sportowefakty.
Ai thotë se presin fitore të Legias, por nuk do të befasohen nëse gjiganti polak edhe eliminohet nga Drita.
“Sigurisht që të gjithë në Poloni presin nga Legia që ata ta mundin Dritën. Por këtë vit Legia pësoi nga Omania Nicosia që ishte një zhgënjim i madh në Ligën e Kampionëve. Vitin e kaluar Legia humbi nga Dudelange, kështu që kjo tregon se askush nuk ndihet tepër i sigurt. Në vendin tonë të gjithë presin që Legia të kalojë tutje, por nëse humbin, jo shumë njerëz do të befasohen”, tha Dudziak.
Ai thotë se ka njohuri për futbollin kosovar dhe Drita është shembulli më i mirë, duke lavdëruar kampionin kosovar për ndeshjen ndaj Sileksit.
“Ne jemi në dijeni që futbolli në Kosovë është duke u zhvilluar me të madhe dhe Drita është shembull më i mirë. Kush e di se çfarë do të ndodhte nëse do të luante kundër Linfield? Ju keni luajtur një futboll vërtetë të mirë në ndeshjen kundër Sileksit dhe Legia duhet të jenë vërtetë të kujdesshëm”, vazhdoi tutje gazetari polak.
Te Legia ka pasur probleme të mëdha në klub dhe mungesë të rezultateve, ku Aleksander Vukovic u shkarkua, teksa Czeslaw Michniewicz ka marrë drejtimin e klubit.
“Tifozët e Legias ishin vërtetë të zhgënjyer me stilin e lojës së klubit të tyre. Paraqitjet në kualifikimet për Ligën e Kampionëve i zemëruan ata. Në fundjavë Legia humbi në shtëpi nga Gornik 1-3 dhe ata bënë një ndeshje shumë të keqe”.
“Pas asaj ndeshje trajneri Aleksander Vukovic u shkarkua nga pozita e tij, derisa në Poloni shpresojnë që trajneri i ri Czeslaw Michniewicz të bëjë punë të mirë, pasi ai ka bërë gjëra të mira me grupmoshat e Polonisë. Ai nuk ka pasur shumë kohë për ta përgatitur ekipin për ndeshjen ndaj Dritës dhe të gjithë pyesin në Varshavë se si do të luaj Legia përballë klubit kosovar”, vazhdoi më tej gazetari polak.
Tutje Dudziak thotë se Drita ka mundësinë që të kaloj tutje pasi nuk ka presion, por ai mendon që Legia do të fitojë takimin 2-1.
“Mendoj që Drita ka mundësinë, ata duhet të përfitojnë nga problemet e Legias dhe të jenë të patrembur. Drita nuk ka presion, ndërsa Legia ka. Por unë jam optimist dhe parashikoj një fitore 2-1 të Legias”.
Në rrethin e tretë të Ligës së Evropës ndodhen tri skuadra polake si Lech Poznan Piast Gliwice dhe Legia, ndërsa sipas Dudziak gjasat më të mëdha për të kaluar në raundin e play-off të Ligës së Evropës i ka pikërisht kundërshtari i Dritës.
“Tani për tani Lech Poznan është duke bërë futbollin më të mirë. Ata luajtën shumë mirë ndaj Hammarby, por ata në raundin e play off luajnë ndaj Cherleroi ose Partizanit të Beogradit. Paraqitje e Piast Gliwice është një befasi e vërtetë për mua, por ata tani luajnë ndaj Copenhagen dhe askush nuk pret fitore prej tyre. Legia ende ka gjasat më të mëdha për të kaluar në fazën e grupeve, por vetëm nëse trajneri i ri e përmirëson stilin e lojës së skuadrës”, deklaroi Dudziak.
Krejt në fund ai foli edhe për Përfaqësuesen e Kosovës, që e vlerëson lartë për eliminatoret e Kampionatit Evropian.
Sipas gazetarit polak Kosova do ta fitojë takimin ndaj Maqedonisë dhe pret që t’i shohë “Dardanët” në Euro 2021.
“Paraqitja e ekipit kombëtar të Kosovës ishte një befasi e madhe dhe pozitive. Ju keni pasur një grup të ashpër me Bullgarinë dhe Malin e Zi dhe përsëri keni arritur të merrni vendin e tretë”.
“Tani ekipi kombëtar i Kosovës ka një shans të madh dhe një lojë mjaft të lehtë sipas mendimit tim. Unë them se Kosova është favorit ndaj Maqedonisë së Veriut dhe pres që ju të luani në Euro 2021”, përfundoi gazetari polak.
Legia dhe Drita takohen sot në Wojska Polskiego stadium me fillim nga ora 20:30.