Vetëm pak orë nga vendimi i autoriteteve në Zvicër, që Kosova është larguar nga lista e vendeve me rrezikshmëri të lartë, mërgimtarët menjëherë kanë filluar që të rezervojnë biletat për në vendlindje.
Këtë e kanë bërë të ditur zyrtarë të Aeroportit të Prishtinës, të cilët edhe kanë treguar se gjatë së dielës janë planifikuar 7 fluturime të reja nga Zvicra.
Përveç lehtësimeve që kanë bërë vendet e tjera për Kosovën, edhe Qeveria këtu gjatë së premtes ka aprovuar masat e reja për Covid-19, raporton KOHA.
Përveç heqjes së kufizimit të lëvizjes, ekzekutivi ua ka zgjatur orarin punës gastronomëve edhe për një orë.
Masat e reja i kanë mirëpritur qytetarët, të cilët kanë kërkuar që të respektohen vendimet e institucioneve.
Por ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj, në një konferencë për media, ka thënë se në rast se numri i të infektuarve rritet, nuk e përjashtojnë mundësinë e kthimit të masave rigoroze.
Derisa ka vazhduar të ketë rënie në numrin e të infektuarve dhe të vdekurve nga Covid-19.
Në 24 orët e fundit 2 persona kanë vdekur nga Covid-19, e 46 raste të reja janë konfirmuar.
Megjithëse janë licencuar mbi 100 laboratorë për teste serologjike në Kosovë, drejtori i IKSHK-së Naser Ramdani, nuk ka treguar se sa qytetarë janë testuar deri tani.
Në QKUK dhe spitalet rajonale po trajtohen 189 pacientë, prej tyre 102 të konfirmuar me Covid-19.
Sipas njoftimit të SHSKUK-së, 123 pacientë po trajtohen me oksigjenoterapi, 4 në respiratorë dhe 8 me CPAP (SIPAP).
Deri tani në Kosovë janë mbi 15 mijë raste me Covid-19, prej të cilëve mbi 13 mijë janë shëruar e 619 kanë vdekur.