Pesë herë radhazi ka dështuar të miratohet projektligji për rimëkëmbje ekonomike në Kuvendin e Kosovës.
Partitë opozitare LVV dhe PDK kanë pasur vërejtje për këtë projektligj, dhe kanë votuar kundër.
Sipas tyre ky projektligji nuk i ndihmon qytetarët dhe bizneset për të dalë nga kriza financiare e shkaktuar nga Covid-19.
Por nëse nuk miratohet projektligji në fjalë në Qeveri po paralajmërojnë krizë të thellë financiare.
Zëvendësministri i Financave, Agim Krasniqi ka thënë për gazetën Objektiv se ky ligj do t’i ndihmonte qytetarët dhe bizneset.
“Nëse nuk miratohet ky ligj ne do të kem direkt më pak 100 milionë të AKP-së, do të kem më pak 300 milionë euro më pak. Në vend që të rikuperohemi më shpejt, do të ketë rikuperime më ngadalë. Nëse ish bërë me ligji, vit i humbur mundet me qenë veç një vjet, e tash mund të jetë gati tre vjet”, tha Krasniqi.
Krasniqi ka folur edhe për tërheqjen e 10 përqindëshit të qytetarët nga Trusti.
Sipas tij, qytetarët më mirë është t’i tërheqin paratë nga trusti se të marrin kredi në banka.
“Ka shtete që nuk janë në krizë edhe e bëjnë këtë. Ky është vit i jashtëzakonshëm, është gjendje e jashtëzakonshme, kjo s’ka me ndodhë prapë. Prandaj vetëm në këtë rast, me ja dhanë mundësinë qytetarët, pasi kemi papunësi e familjet janë në gjendje të rëndë. Ata që kanë nevojë i tërheqin. A ma mirë me i marrë fondet e veta, a me shku te bankat”, shtoi Krasniqi.
Zëvendësministri Krasniqi tha po ashtu se nga kuleta e shtetit deri më tani janë shpenzuar gati 300 milionë euro.
“Deri tash janë shpenzuar 136 milionë, pesë milionë për arsim për fillim të vitit shkollor, 10 milionë ndihmë për komuna, krejt këto bëjnë rreth 240 milionë, a kem thanë janë 365 milionë për këtë na nevojiten 100 milionë me ardh prej AKP-së të cilat nuk mund të vijnë pa kaluar ligjit për rimëkëmbje ekonomike. Nuk ka mundësi tjera, pavarësisht që është bilanci bankar i cili duhet të jetë 3 për qind që duhet të ruhet mjetet janë aty, nuk guxon me përdor bilancin bankar se nuk ke autorizim ligjor për me përdor për asnjë shpenzim”, theksoi Krasniqi.
Tre muaj më parë projektligji për rimëkëmbje ekonomike është votuar në Qeverinë e Kosovës.
Më pas është dërguar në Kuvendin e Kosovës për miratim, por pozita nuk po arrin t’i mbledh votat e mjaftueshme për ta bërë këtë.