Komuna e Gjilanit së bashku me donatorët, kanë vënë sot gurthemelin e shtëpisë për familjen pesë anëtarëshe në nevojë të Rexhep Kqikut, në Lagjen e Vishnjeve.
Në ceremoninë e fillimit të ndërtimit të kësaj shtëpie, ka marrë pjesë nënkryetari Arbër Ismajli, donatorët Xhevdet Hajrullahu, pronar i Xhevda MAAE e bashkatdhetari nga Zvicra që është edhe donator i KV Drita, Jakup Shabani, sikurse asamblisti i Kuvendit Komunal, Gentrit Murseli dhe kryetari i Këshillit të Lagjes së Vishnjeve, Demush Vokshi.
“Jam shumë i lumtur që iniciativës së kryetarit, Lutfi Haziri, për mbështetje ndaj njerëzve me probleme të banimit i janë bashkangjitur donatorët, Xhevda e Jakupi. Këta dy, po e bëjnë me kulm mbi kokë familjen e Rexhep Kqikut, të cilët i falënderoj shumë. Kjo është shtëpia e 140 që po bëhet për familjet nevojtare, që nga mbrëmja humanitare “Pak nga ne, shumë për ata 1”, e cila është realizuar me iniciativë të kryetarit Haziri, në tetorin e vitit 2014”, ka thënë me këtë rast, nënkryetari Arbër Ismajli.
Donatorët e kësaj shtëpie, Xhevdet Hajrullahu e Jakup Shabani, kanë thënë se ndihen jashtëzakonisht të nderuar që e kanë pasur mundësinë për ta ndërtuar shtëpinë e Rexhep Kqikut, për ta nxjerrë njëherë e përgjithmonë nga gjendja e rëndë e banimit.
Asamblisti i Kuvendit Komunal të Gjilanit, Gentrit Murseli, ka thënë se është ndier shumë i emocionuar që ka qenë pjesë e këtij procesi për fillimin e ndërtimit të kësaj shtëpie.
Ndërkaq, fjalë falënderimi për iniciativën e kryetarit Haziri dhe për donatorët pati edhe Rexhep Kqiku, i cili pas disa javësh pritet të hyjë në shtëpi të re.
“Deri tani kam jetuar me një dhe dhomë në shtëpinë e vëllait. Zoti e shpërbleftë kryetarin, nënkryetarin dhe donatorët”, ka thënë Kqiku.
Për fund, nënkryetari i Gjilanit, Arbër Ismajli, ka njoftuar se është zgjidhur problemi i 80 për qind të njerëzve të kësaj kategorie, derisa ka paralajmëruar se po e presin konfirmimin e MCC’së për renovimin e 50 shtëpive të tjera, sipas kërkesave të qytetarëve.