Kryetari i Sindikatës së Pavarur të Sektorit Privat, Jusuf Azemi në një intervistë për Ekonomia Online ka thënë se deri më tani 60 mijë punëtorë kanë humbur vendet e tyre të punës si pasojë e krizës nga pandemia.
Kjo shifër sipas tij mund të arrijë deri në 100 mijë deri në fund të vitit.
“Deri më tani kemi mbi 60 mijë vende të humbura të punës ku punëtorët kanë punuar dhe deri në fund të këtij viti kjo shifër do të kalojë mbi 100 mijë. Ne po dëgjojmë nga përfaqësues të kompanive private që kjo shifër është shumë më e vogël 30 mijë, por këtë po e bëjnë me qëllim se gjoja kompanitë private janë duke i ruajtur punëtorët edhe në këtë gjendje çfarë janë. Në momentin kur kompanitë po e shohin se nuk janë rentabile, zgjidhjen e parë që e bëjnë është largimi i punëtorët nga puna. Sipas të gjitha gjasave deri në fund të dhjetorit ndoshta do të shkojë mbi 1 miliard e 200 mijë euro humbje që do të ketë ekonomia e Kosovës”, ka thënë Azemi.
Ai kërkon nga Qeveria një fond të veçantë për punëtorët e sektorit privat.
“Kërkesë imediate është që së paku qeveria e Kosovës duhet të ketë një fond të veçantë sepse jemi të vetëdijshëm që gjatë kësaj periudhe do të ketë largim nga puna të punëtorëve dhe këta punëtorë të mos mbeten në mëshirën e fatit, sepse për ta duhet të ketë një stimulim së paku në gjashtë mujor të kenë një pagë shtesë nga qeveria e Kosovës”, tha kryetari i sindikatës së sektorit privat.
Sipas tij nuk do të ketë ulje të pagave në sektorin privat dhe publik, edhe përkundër paralajmërimeve nga ministria e Financave.