Ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj ka reaguar pas rritjes së rasteve me COVID-19 në dy ditët e fundit. Ka thënë se është koha që të veprohet urgjentisht për të parandaluar përkeqësimin e situatës.
Përmes një postimi në llogarinë e tij në Facebook, Zemaj ka thënë se rritja e numrit të rasteve vjen nga institucionet publike.
Sipas tij, në rritjen e rasteve ka ndikuar edhe heqja e Kosovës nga lista e vendeve me rrezik të lartë dhe ardhja masive e bashkë-atdhetarëve këtyre ditëve në Kosovë, nga vendet evropiane që këtyre ditëve po shënojnë gjithashtu ngritje të madhe të rasteve me Covid-19.
“Sipas të dhënave tona rritja e numrit të rasteve vjen nga institucionet publike, që është një tregues shumë i keq dhe që flet se ajo që është thënë në takimin e fundit të Komitetit se ka mos-dicipilinë në administratën shtetërore sa u përket zbatimit të masave, po del të jetë e vërtetë, pa i harruar institucionet e tjera dhe veçmas sektorin e gastronomisë, i cili bën presion çdo ditë, iu dha edhe më shumë kohë për të ushtruar veprimtarinë për një orë më shumë, ndërsa në anën tjetër nuk zbatohen masat”, ka shkruar Zemaj.