Mosrespektimi i masave kundër koronavirusit në sektorin e gastronomisë dhe në instutcionet publike, sipas ministrit të Shëndetësisë së Kosovës, Armend Zemaj, ka ndikuar në rritjen e numrit të rasteve me koronavirus ditëve të fundit.
Ministri Zemaj të shtunën paralajmëroi se masat mund të shtrëngohen, nëse nuk respektohen rekomandimet e profesionistëve shëndetësorë.
“Kërkoj sot që Policia e Kosovës dhe të gjitha inspektoratet pa dallim, bashkë më komunat të veprojnë urgjentisht në parandalimin e përkeqësimit të situatës, bashkë me neve”, tha Zemaj më 10 tetor.
Në dy ditët e fundit, më 9 dhe 10 tetor, në Kosovë u regjistruan 159 raste me COVID-19, që paraqet një rritje të rasteve, pasi për disa javë, autoritetet shëndetësore në Kosovë regjistruan shifra më të ulëta ditore të infektimeve me koronavirus.
Me afrimin e stinës së dimrit, janë rritur edhe shqetësimet se frekuentimi nga qytetarëve i ambienteve të mbyllura, siç janë kafiteritë, mund të ndikojë në rritjen e rasteve të reja me COVID-19.
Deri më tash klientët e kafiterive dhe bareve janë ulur jashtë në terrasa, një vendim në përputhje me kërkesat e Ministrisë së Shëndetësisë.
Lul Raka, mikrobiolog në Institutin Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHPK), në një intervistë dhënë Radios Evropa e Lirë, tha se me ftohjen e motit dhe grumbullimin e njerëzve në ambiente të mbyllura, është shumë e rëndësishme që të mbahet distanca, maska dhe higjiena personale, në mënyrë që të mos ketë shtim të numrit të rasteve të të infektuarve me koronavirus.
“Me ftohjen e kohës, qëndrimi i njerëzve nga jashtë fokusohet në objekte të mbyllura, ku shpesh nuk ka ventilim sidomos në kafiteri ku ka grumbullim të njerëzve dhe këto janë faktorë favorizues të përhapjes së virusit dhe elementi i tretë është gripi sezonal”, tha Raka.