Ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj, ka bërë të ditur se në lokalet e gastronomisë ku do të vazhdohet të mbahen dasma e tubime tjera familjare, do të ketë mbyllje pa paralajmërim.
Përmes një postimi në rrjetin social Facebook, Zemaj ka thënë se tashmë gastronomia mund të punojë edhe brenda hapësirave të mbyllura, por distanca mes tavolinave, higjiena dhe mbajtja e maskave nga personeli dhe nga klientët janë të domosdoshme, shkruan Reporteri.net.
“Tash, kur gastronomia mund të punojë edhe brenda hapësirave të lokaleve të veta, distanca në mes të tavolinave, higjiena dhe mbajtja e maskave si nga personeli po ashtu edhe nga mysafirët janë të domosdoshme.”, ka shkruar ai në Facebook.
Ky paralajmërim i Zemajt erdhi pas rritjes së numrit të rasteve pozitive me coronavirus në Kosovë.
Lakorja e infeksionit po pëson rritje edhe në Evropë, ku shumë shtete evropiane tashmë kanë marrë vendim për shtrëngim të masave kufizuese kundër COVID-19 si shkak i rrezikut të shpërthimit të valës së dytë të pandemisë.