Partia Demokratike e Kosovës (PDK) e ka quajtur arbitrar shkarkimin e sotëm të Drejtorit të Policisë, Rashit Qalaj.
“Partia Demokratike e Kosovës, nëpërmjet kësaj komunikate për media shpreh indinjatën për shkarkimin arbitrar të Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Kosovës Rashit Qalaj. Ky vendim cenon rëndë një ndër institucionet më të rëndësishëm të pavarura të shtetit. Policia e Kosovës ka dëshmuar sukses në përmbushjen e detyrave dhe ky shkarkim përbën një tentativë për kapje të shtetit. Një veprim i tillë është gjithashtu inkurajim ndaj krimit të organizuar i cili është goditur me përkushtim dhe efikasitet prej drejtorit Qalaj, duke arritur rezultate shumë të larta në përpjekjet për të vendosur rend dhe ligj në vend”, thuhet në komunikatë.
PDK-ja e ka lidhur shkarkimin edhe me arrestimin e kryetarit të Istogut dhe nënkryetarit të LDK-së, Haki Rugova.
“Fakti që ky shkarkim po bëhet kur ende nuk është mbushur një javë nga arrestimi i nënkryetarit të LDK-së, Haki Rugova, lë të kuptohet se është një akt hakmarrës ndaj institucioneve të zbatimit të ligjit. Momenti dhe metoda e shkarkimit dëshmon se ky veprim është mesazh i qartë kërcënues për policët, hetuesit, prokurorët dhe gjykatësit – të cilët guxojnë të merren me veprat penale të LDK-së”, thuhet tutje në komunikatë.