Së fundmi, sërish është përfolur për mbyllje të objekteve, qyteteve apo edhe lagjeve ku po shpërndahet virusi korona.
Mirëpo i pari i Ministrisë së Shëndetësisë, Armend Zemajt thotë se mbyllja është opsioni i fundit, por që ka bërë thirrje për respektim të masave që janë vendosur nga institucionet shëndetësore për të parandaluar përhapjen e COVID-19. Megjithëse ai ka theksuar se mbyllja do të ishte fatale për të gjithë.
Këto deklarata Zemaj i tha gjatë një vizite që bëri të hënën në Qendrën Korrektuese në Lipjan.
Në rast se paraqitet nevoja, Zemaj thotë se atëherë sipas legjislacionit në fuqi dhe ligjit antiCOVID do të ndërmarrë masat e nevojshme.
“Në politikën e Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe në atë që unë e kam përfaqësuar që nga fillimi mbyllja ka qenë gjithmonë opsioni i fundit. Për këtë arsye po iu bëjmë thirrje qytetarëve, bizneseve, mediave, të gjithëve, institucioneve publike dhe qendrore që t’i respektojnë dhe t’i zbatojnë masat sepse mbyllja do të ishte fatale për të gjithë neve. Do të thotë ta bëjmë të pamundurën në menaxhimin e kësaj situate që mos të kemi mbyllje, apo mbyllje klasike siç quhet. Ndërsa sipas legjislacionit në fuqi dhe ligjit antiCOVID nëse është e nevojshme, unë do të marr masa të kufizuara, të mbylljes, qoftë në objekte, lokacione, qytete, lagje, aty ku e shohim dhe kemi informacione që po shpërndahet infeksioni”, ka thënë Zemaj.
Ministri i Shëndetësisë ka thënë se mbyllja e disa lokaleve është bërë shkaku i përgjegjshmërisë së tyre. Ai ka thënë se ata që nuk i respektojnë masat, do të shkohet me mbyllje individuale, pa i lënduar ata të cilët respektojnë masat dhe janë të përgjegjshëm para kësaj situate pandemie.
E Zemaj thotë edhe se udhërrëfyesi për përdorimin e masave ndaj COVID-19 të vendosura nga ministria që ai drejton tani po përdoret edhe nga vendet e rajonit.
“Po tash po e them pa modesti, ne jemi duke u marrë model nga shtetet tjera… Shumë shtete të rajonit, që unë kam bashkëpunim direkt me ta, edhe në krijimin e atij grupi të cilit e kam pasqyruar më herët edhe në shtetet homologe të rajonit, edhe në vendet tjera që jemi në kontakt, disa elemente të masave ata tash I kanë marrë për bazë, me këtë rast kanë marrë edhe udhërrëfyesin të cilin unë e kam nënshkruar për përdorimin e maskës në komunitet dhe mbulesat në fytyre të cilën janë tash duke e përdorur edhe vendet e rajonit si masë e tyre”, ka thënë Zemaj.
Zemaj ka treguar edhe se si do të bëhet mbiëkqyrja tani me rritjen e rasteve pozitive.
“Pavarësisht kësaj, ne po marrim modele edhe nga vendet që tash më kanë rritje të infeksionit pas rendjes, ashtu siç e kishim ne në Republikën e Kosovës, edhe dje edhe sot realisht jemi duke e shqyrtuar mënyrën e mbikëqyrjes dhe ju e dini që kemi aktivizuar të gjitha inspektoratet, dje kemi pasur një bisedë edhe me drejtorin e përgjithshëm të policisë, do të aktivizojmë në dy faza, gjatë ditës dhe në mbrëmje duke pasur për bazë ruajtjen e shëndetit publik dhe minimizimin e shpërndarjes së infeksionit”, ka thënë Zemaj.
Ai thotë se rritje e numrit të rasteve është e lehtë, por është e kushtueshme për vendin nëse vazhdohet që të mos repsektohen masat ndaj Covid-19.