Kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, po e kundërshton idenë e kreut të Prishtinës, Shpend Ahmetit, i cili tha se hyrja me vetura në kryeqytet do të bëhet me pagesë.
Kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti, ka paralajmëruar se hyrja me vetura në kryeqytet së shpejti do të ketë një kosto. Kjo sipas tij, për të zgjidhur problemit të trafikut të ngarkuar.
Kryetari i Gjilanit, Lutfi Haziri, i pyetur nga Express se si e vlerëson një vendim të tillë të kryetarit të Prishtinës, ka deklaruar se hyrja në Prishtinë edhe mund të bëhet me pagesë, por pasi Gjilani i ka tri dalje në kufi të Kosovës, kjo do t’u kthehet dhjetëfish.
“Prishtina është e prishtinasve. Munden edhe me pagesë me e bë, por për dalje në kufi të Kosovës Gjilani i ka tre sosh, kanë me pagua dhjetëfishin e hyrjes së gjilanasve në Prishtinë”, ka deklaruar Haziri.
Ndërkohë, pas kritikave të shumta ndaj deklaratave të tij për bërjen me pagesë të hyrjes me vetura në kryeqytet, Shpend Ahmeti, ka shkruar në Facebook se kjo do të bëhet për të evituar tollovinë në komunikacion dhe për të mbrojtur qytetarët nga ndotja e ajrit.
“Meqenëse rrugët janë të ngushta dhe nuk mund të zgjerohen në qendër, atëherë zgjidhja e vetme mbeten ndërtimi i rrugëve alternative (unaza) dhe pagesa e taksës për lëvizje me makinë në pjesë të populluara të qytetit ku ka tollovi dhe që mund të shkaktojnë ndotje”, ka shkruar Ahmeti.
I pari i Prishtinës thotë se një shembull të tillë e ndjek edhe Londra.
“Pra, përveç parkingut me pagesë, ne kemi shqyrtuar edhe mundësinë e taksës për lëvizje me makinë në qendër. Në gjuhën angleze njihet si Congestion Charge (taksë e tollovisë në njëfarë mënyre). Londra është kryeqyteti që e ka rregullu më së miri këtë sistem”, thotë Ahmeti.
“Nuk ka rampa (laura), nuk ka diskriminime, kur të vendoset kjo politikë vlen për të gjithë dhe implementohet me kamera. Thjeshtë në një qytet të vogël ku mundesh me ec në këmbë prej njërës anë në tjetren për 30 minuta dhe me ndotje serioze gjatë dimrit, prioritet duhet ta kemi luftimin e përdorimit të panevojshëm të veturave”, ka shkruar kryetari i Prishtinës.