Mbrëmë para mesnatës Policia e Kosovës ka arrestuar një person i cili dyshohet se së bashku me dy persona të tjerë kanë keqpërdorur pozitën zyrtare duke transferuar mbi dy milionë euro nga Thesari i Shtetit.
Sipas policisë dy persona të tjerë janë në arrati.
“Me 20.10.2020 23:35 pas hetimeve të zhvilluara është arritur të arrestohet një i dyshuar m/k dhe dy të tjerë gjenden në arrati. Të dyshuarit dyshohet se duke keqpërdorur detyrën zyrtare duke përdorur thesarin shtetëror të Republikës së Kosovës kanë transferuar para në vlerë 2.077.995.90 milion euro. Është kërkuar bllokimi i llogarive pasi që dyshohet se një pjesë e parave janë transferuar jashtë vendit. Janë bërë bastisje të shtëpive të dyshuarve, nuk është gjetur asgjë vetëm është konfiskuar një veturë pronë e njërit nga të dyshuarit. Me urdhër të prokurorit i dyshuari është dërguar në mbajtje”.
Ministria e Financave ka paralajmëruar konferencë për media prej orës 15:45 për t’u sqaruar lidhur me rastin.