Rritja e rasteve të koronavirusit në Kosovë nuk duhet të përbëjë shqetësim, meqë rritja e lehtë e të infektuarve ka dalur si rezultat i rritjes së testimeve në baza ditore, thotë për Radion Evropa e Lirë, mikrobiologu Lul Raka.
Nga 12 deri më 23 tetor, në Kosovë janë regjistruar 1,412 raste të reja me COVID-19, kurse 12 persona kanë vdekur.
Kosova është duke u përballur me pandeminë tash e 8 muaj, kurse masat parandaluese si bartja e maskës, higjiena e duarve e mbajtja e distancës ende janë në fuqi.
Kosova pikun e pandemisë e ka arritur në muajt korrik e gusht, derisa më pas numri i të infektuarve ka shkuar duke shënuar rënie.
Në dy javët e fundit në vend është vërejtur një rritje e lehtë e numrit të të infektuarve me koronavirus, e që e shkakton sëmundjen e COVID-19.
Megjithëkëtë, mikrobiologu Lul Raka tha se kjo nuk duhet të përbëjë shqetësim as për autoritetet e as për popullatën, meqë rritja e lehtë e të infektuarve ka ardhur si rezultat i rritjes së testimeve në baza ditore.