Vetëm në Gjilan para viteve të nëntëdhjeta pati 13 mijë e 800 të punësuar, pas viteve të nëntëdhjeta rreth 9 mijë punëtorë u larguan nga puna, kurse pas luftës në tërë Anamoravën, që përfshinë komunat Gjilan, Viti e Dardanë në punë u përfshinë 8 mijë punëtorë.
Teksa është në proces rrënimi i ndërtesës së dikurshme të Kombinatit të Duhanit në Gjilan, njerëzve më në moshë në kokë u sillen kujtimet për këtë gjigant të dikurshëm të industrisë së Gjilanit, por edhe për kombinatet e fabrikat tjera të kësaj komune e që nuk janë më.
Mijëra njerëz edhe sot mund të vërehen në hapësirën ku dikur ishte Kombinati i Tekstilit “Integj” në Gjilan, por ndryshe nga dikur kur njerëzit aty shkonin për të punuar, tashti ata janë shndërruar në konsumatorë që blejnë mallra në qendrat e mëdha tregtare që janë hapur aty. Dikur Kombinati i Tekstilit “Integj” punësonte mbi 3000 punëtorë që punon në tre turne dhe që prodhimet e tyre pos në ish-Jugosllavi i plasonin edhe deri në Lindjen e Largët, por sot kjo hapësirë është shndërruar në qendra të mëdha tregtare edhe pse një pjesë e ish-kombinatit vazhdon të merret me prodhim, kryesisht me penj tekstili, tepihë e prodhime të tjera. Mijëra punëtorë të tjerë ishin të punësuar edhe në Kombinatin e Duhanit “IDGJ”, në Fabrikën e Metaleve “Çeliku”, Fabrikën e Baterive “IDGJ”, Fabrikën e Radiatorëve “Jugoterm”, në Kombinatin “Morava e Binçës”, Agrokombinatin “Agromorava” e shumë fabrika të tjera që Gjilanin e bënin qytet industrial.
Privatizimi nuk dha rezultate në Anamoravë
Tashti, kur shumë nga këto ndërmarrje u privatizuan, ato më shumë janë shndërruar në depo, supermarkete, hapësira për ndërtimin e banesave e çka jo tjetër.
Edhe tashti ka të punësuar në këto veprimtari, por numri i të punësuarve në krahasim me dikur është shumë larg, ngase privatizimi la shumë të papunë.
Sipas statistikave vetëm në Gjilan para viteve të nëntëdhjeta pati 13 mijë e 800 të punësuar, pas viteve të nëntëdhjeta rreth 9 mijë punëtorë u larguan nga puna, kurse pas luftës në tërë Anamoravën, që përfshinë komunat Gjilan, Viti e Dardanë në punë u përfshinë 8 mijë punëtorë. Pas privatizimit të ndërmarrjeve 90 përqind e punëtorëve ngelën pa punë. Shumë ndërmarrje u privatizuan nga Agjencia Kosovare e Mirëbesimit (AKM) e më pas edhe nga Agjencia Kosovare e Privatizimit (AKP), por doli se ky privatizim dështoi gati plotësisht, ngase shumë nga ndërmarrjet asnjëherë nuk e filluan punën.
Privatizimi nuk dhe rezultate në Anamoravë, ngase hiq Fabrikën e Radiatorëve dhe ndonjë ndërmarrje tjetër që punojnë me kapacitete të vogla, ndërmarrjet e tjera të privatizuara u shndërruan në depo, supermarkete e hapësira për ndërtime banesash.
Industria e Duhanit, dikur dhe sot
Dikur Industria e Duhanit në Gjilan, punësonte më së shumti punëtorë, ngase pos punëtorëve që punon në Kombinat, në punë ishin të angazhuar edhe kultivuesit e duhanit nëpër fusha, ata që vargonin duhanin e deri te fëmijët e vegjël. Në Gjilan, dikur edhe borxhet laheshin me kohën kur paguhej duhani, sikurse që edhe martesat bëheshin pasi merreshin të hollat nga shitja e duhanit në kombinat, por gjërat tashti kanë ndryshuar. Në arat e Gjilanit, ku dikur kultivohej duhani cilësor dhe prej atij duhani bëheshin cigaret “Dunhill”, “Bozhur”, “Holliday” e cigare të tjera, sot nuk mund të gjesh njeri që kultivon duhan.
Një fije shprese iu kthye këtij qyteti kur kombinati u privatizua, por edhe pse synimet ishin të mëdha dhe pritej që kjo veprimtari pritej të kishte impakt të madh në zhvillim ekonomik lokal e nacional, deri më tashti një gjë e tillë nuk ndodhi, ngase shteti nuk diti të gjejë forma për të subvencionuar prodhuesit vendorë, kurse cigaret cilësore të dikurshme asnjëherë nuk e panë dritën./Kryelajmi.com/