Në vigjilje të 30-vjetorit të manifestimit kulturor e mbarëkombëtar “Flaka e Janarit 2021”, ministrja e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Vlora Dumoshi, ia ka dorëzuar vendimin kryetarit të Gjilanit, Lutfi Haziri, për futjen e këtij manifestimi në trashëgiminë shpirtëtore.
Këtë vendim, Dumoshi e quajti lajm të madh për Gjilanin, duke uruar që ky manifestim të jetë i gjallë sa është jeta njerëzore.
“Sot kemi ardhur me një lajm të mirë në Gjilan. Meqë është bërë për 29 vjet një traditë e manifestimit “Flaka e Janarit”, e cila përmban katër shtylla kryesore, sot jam shumë e nderuar që po ia dorëzoj kryetarit Haziri vendimin për futjen e “Flakës…” në trashëgiminë shpirtërore. E gëzoftë Gjilani dhe uroj që ky manifestim të jetë gjithmonë i gjallë sa është jeta njerëzore sepse me anë të këtij manifestimi, janë nderuar shumë emra të mëdhenj të kombit tonë”, ka thënë Dumoshi.
Kryetari i Gjilanit, Lutfi Haziri, e ka falënderuar ministren Dumoshi për vendosjen e “Flakës…” në listën e trashëgimisë shpirtërore.
Ai tha se kjo është mirënjohja më e madhe që i jepet Gjilanit, duke shtuar se rangohet me mirënjohjen që Parlamenti Europian ia ka dhënë me epitetin “Qytet i Paqes” dhe në rrafshin e mirënjohjes kolektive të Presidencës së Kosovës si “Qytet i Lirisë”.
“Për 30 vjet, burra e gra në Gjilan, në ditët më të vështira dhe në ditë të mira, janë gjunjëzuar para veprës së heronjve, dëshmorëve dhe martirëve të kombit, të cilët i kanë dhënë këtij vendi ditën e bardhë të lirisë. Janari kudo është ‘muaj i vdekur’, vetëm ne bëjmë përjashtim sepse më 11 janar, në ditën e rënies së Rexhep Malës e Nuhi Berishës, fillojmë me këtë manifestim dhe i përfundojmë aktivitetet më 31 janar, në nderim të të rënëve përmes vlerave kulturore’, ka thënë Haziri.
Ai ka theksuar se ky vendim e bën të mundur që ky manifestim të njihet nga të gjitha gjeneratat e ardhshme.
Ndërkohë, në këtë ngjarje është bërë promovimi i trashëgimisë kulturore përmes pikturës, nga ana e nxënësve të shkollës së mesme të artit pamor “Adem Kastrati”.
Në këtë ngjarje është vlerësuar lartë vepra e poetit e kritikut të madh letrar, Ramadan Musliu, i cili ndërroi jetë ditë më parë.