Infektologu Ilir Tolaj, ka thënë se ka filluar vala e dytë e virusit Covid-19 edhe në vend.
Ai ka thënë se meqenëse numri i rasteve me këtë virus po shtohet dita ditës, duhet të propozohen masa të pranueshme nga qytetarët për t’u mbrojtur nga ky virus.
“Vet fakti i rritjes se numrit të rasteve tregon se edhe tek ne pandemia ka hyrë në valën e dytë dhe se masat e rekomanduara nuk kanë qenë adekuate. E kam thënë edhe më herët, nëse masat janë kryesisht kufizuese, atëherë krejt çka do të arrihet me to është se do të kemi shtyrjen kohore të shfaqjes së numrit të madh të rasteve në formë të valëve të reja”, ka thënë ai.
Tolaj ka thënë se pjesë e masave nuk duhet të jetë edhe karantinimi.
Përndryshe, ai ka folur edhe për kapacitetet që kanë institucionet shëndetësore për ta menaxhuar gjendjen me këtë virus.
Ai ka thënë se ato kanë pasur mjaftueshëm kohë që të përgatiten për ta menaxhuar gjendjen, por që nuk është bërë një gjë e tillë.
“Institucionet kanë pasur kohë të mjaftueshme për kapacitete të reja dhe që të krijojnë skema më efikase për kujdesin ndaj pacientëve me COVID-19, veçanërisht atyre të sëmurë rëndë. Aq sa di unë, këto nuk janë bërë”, ka thënë ai.
Infektologu kosovar: Është punësuar staf pa përvojë, s’presim përmirësim të shërbimeve
Tolaj ka thënë tutje se në institucionet publike shëndetësore është punësuar staf i ri e pa përvojë.
Sipas tij, vështirë se do të ketë përmirësime të kualitetit të shërbimeve shëndetësore.
“Është punësuar staf shtesë, por këta janë staf i ri, pa përvojë, që vështirë se do të ndikojë në përmirësimin e kualitetit të shërbimeve shëndetësore për pacientët me Covid – 19. Por në anën tjetër furnizimi me oksigjen po thuhet që është rregulluar dhe vështirë se do t’i plotësojë nevojat në një situatë kritike”, ka thënë ai për Front Online.
Sa i përket gjendjes me Covid-19, ai ka thënë tutje se do të ketë edhe shumë raste të vdekjeve me këtë virus në vend, sepse sipas tij, askush nuk po merret seriozisht me këto raste.
“Uroj që numri i rasteve të rënda në valën e dytë të mos jetë i lartë, përndryshe na pret një numër i konsideruar i vdekjeve të reja nga Covid-19. E në gjithë këtë situatë me Covid 19, do të ketë edhe shumë vdekje të rasteve me sëmundjet tjera, sepse askush nuk po merret në mënyre serioze me këto raste, ka shtuar ai.