Institucionet shëndetësore janë alarmuar nga rritja e numrit të rasteve me Koronavirus në vendin tonë. Vetëm dje u raportuan 3 të vdekur dhe 514 raste duke e quar numrin e rasteve aktive në nivel vendi në 3 mijë e 641 raste.
Ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj ka apeluar për kujdes në mënyrë që të mos mbingarkohet sistemi shëndetësor.
“Përkushtimi i plotë i secili qytetar të mos mbingarkojmë sistemin tonë shëndetësorë. Profesionistët shëndetësorë duhet të ndihmohen, t’i zbatojmë masat secili në mënyrën e vet, ta ruajmë shëndetin, ta ruajmë jetën e njëri-tjetrit, ta ruajmë familjen tonë të përbashkët”, tha Zemaj në një mesazh për qytetarët.
Apelit për kujdes dhe respektim të masave i është bashkuar edhe Drejtoresha e Klinikës Infektive, Lindita Ajazaj Berisha.
“Klinika Infektive është 8 muaj që është duke punuar dhe duke u ballafaquar me virusin. Prandaj i gjithë stafi shëndetësorë është tani më i lodhur dhe të vetmen gjë që mund të bëni është të na ndihmoni duke i respektuar të gjitha masat që dalin nga institucionet shëndetësore, duke mbajtur maskën, duke mbajtur distancën, duke mbajtur higjienën personale dhe duke u larguar nga grumbullimet e panevojshme. Virusi është në mesin tonë, ka ekzistuar dhe akoma e ekziston”, thota Ajazaj Berisha.
Ajo këshillon qytetarët se si të sillen në këtë kohë pandemie.
“Të gjithë ata të cilët kanë rezultuar pozitiv me Covid-19 duhet të qëndrojnë në shtëpi, ndërsa të gjithë ata të cilët janë të sëmurë dhe kanë probleme me frymëmarrje patjetër që duhet të vizitohen te mjeku dhe sipas rekomandimeve të mjekut duhet të spitalizohen, duke e mbrojtur vetën në të njëjtën kohë mbrojmë edhe familjarët dhe e ndihmojmë stafin shëndetësor në punën 8 mujore”, tha drejtoresha e Klinikës Infektive.