Kanë kaluar më shumë se një muaj prej kur është mbajtur seanca e parë dëgjimore e kryetarit të Organizatës së Veteranëve të UÇK-së, Hysni Gucati. Por, ende nuk është bërë e ditur se kur do të mbahet seanca tjetër, anipse Prokuroria Speciale kishte paralajmëruar se brenda 30 ditësh do ta dorëzojnë aktakuzën në Gjykatën Speciale.
Gucati është duke qëndruar në paraburgim prej 43 ditësh, shkruan Gazeta Express.
Prokuroria Speciale kishte paralajmëruar, se aktakuza do të dorëzohet në gjykatë, brenda 30 ditësh nga seanca e parë e Gucatit. Por, ende asgjë nuk është bërë publike.
Gazeta Express ka kontaktuar edhe me Zyrën e Prokurorit të Specializuar, por të njëjtit thanë se prokurori kishte për qëllim ngritjen e aktakuzës brenda 30 dite.
“SPO nuk ka asgjë për të shtuar në deklaratën e prokurorit të saj në paraqitjen e parë të Hysni Gucati në gjykatë në 1 tetor, domethënë që SPO kishte për qëllim të ngrinte një aktakuzë brenda një periudhe 30 ditore”, thuhet në përgjigjen e tyre.
Gazeta Express ka dërguar pyetje edhe në Dhomat e Specializuara rreth çështjes së ngritjes së aktakuzës së Gucatit, por të njëjtit nuk kanë kthyer përgjigje.
Mbrojtësi i Hysni Gucatit kishte ofruar 5 mijë euro garancion për lirimin e tij me kusht, meqë kreu i OVL-UÇK’së vuan nga disa sëmundje e madje ka probleme me lëvizshmëri.
Në seancën ndaj Gucatit, Jonathan Ellison Rees, mbrojtës i kreut të OVL-UÇK’së, ka kërkuar lirimin me kusht të klientit të tij pasi ka probleme shëndetësore. Ai vuan nga diabeti, shtypja e lartë e gjakut si dhe vuan nga astma.
Të gjitha këto probleme shëndetësore, mbrojtësi i tij tha se janë të mjaftueshme që të mundësohet lirimi me kusht.
“Gucati është baba i 7 fëmijëve dhe të gjithë jetojnë në zonën e Skenderajt, aty ku ka lindur. Fëmijët janë të moshës 23 deri n 34 vjeç. Gucati nuk është me shëndet mirë, vuan nga diabeti, merr insulinë dhe vuan nga shtypja e lartë e gjakut. Ai ka probleme edhe me lëvizshmërinë, sepse psh sot ai kishte një termin në spitalin e Prishtinës për të kryer një operacion për zgjedhjen e lëvizshmërisë. Ai vuan edhe nga astma”, tha avokati i tij në seancën e mbajtur në Hagë.
Anipse mbrojtësi i tij tha se mund të ofrojnë një garanci prej 5 mijë eurosh, se Gucati nuk do të arratiset dhe se do të jetojë në adresën që i përcaktohet, për prokuroren e rastit, Valeria Bolici nuk ishin të mjaftueshme të gjitha këto arsye.
Bolici tha se paraburgimi i tij është i nevojshëm, pasi sipas saj, nëse lirohet, Gucati do të vazhdojë t’i publikojë dokumentet e Speciales.
“Mbetet i nevojshëm në këtë fazë paraburgimi i Gucatit pasi nuk ka rrethana të reja që mund të ndikojnë në gjetjet që janë dhënë në aktakuzë. Megjithatë, në disa deklarata të mëparshme publike, Gucati ka afirmuar publikisht që do të vazhdojë të bëjë publike çdo informacion që mund t’i bjerë në posedim e që kanë të bëjnë me lëndën e kësaj gjykate”, tha Bolici.
Gucati është arrestuar nga EULEX-i me datën 25 shtator, në zyrat e veteranëve në Prishtinë, me ç’rast atë ditë u bë edhe një bastisje. Po atë ditë, Gucati u transferua në objektin e paraburgimit të Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë.
Po atë ditë është arrestuar edhe sekretari i OVL të UÇK-së, Nasim Haradinaj, i cili po ashtu është duke u përballur me Gjykatën Speciale në Hagë.
Ndaj tyre është lëshuar fletarrestim për vepra penale kundër administrimit të drejtësisë, përkatësisht për frikësim të dëshmitarëve, hakmarrje dhe shkelje të fshehtësisë së procedurës, të parapara në Kodin Penal të Kosovës.