Kryetari i qytetit të Gjilani Lutfi Haziri përmes një postimi në facebook ka treguar për gjendjen që ndodhet qyteti i Gjilanit me Covid-19.
Ai ka lutur qytetarët të bartin maska, të mbajnë distancën sociale dhe të mbajnë higjienën personale, shkruan Radio Star.
Haziri gjithashtu ka thënë se nuk ka vend për panik dhe se lajmi i mirë është që asnjë rast nuk është shënuar në shkolla e objekte fetare.
Qyteti i Gjilanit ka 310 raste aktive, 39 janë në hospitalizim dhe 120 mostra në pritje./RadioStar/
Postimi i plotë:
Përveç shëndetit publik, në Gjilan po punojmë që ta ruajmë edhe shëndetin e ekonomisë. Pas rasteve të shumta në tri ditët e fundit, gjendja nuk është e mirë, por e menaxhueshme.
S’ka vend për panik, por për solidaritet e lojalitet të qytetarëve në vendime. Lajmi i mirë është që asnjë rast nuk është shënuar në shkolla e në objekte fetare. Ju lutem t’i bartni maskat, ta mbani distancën e higjienën personale.
Gjendja e përgjithshme e përballjes me pandeminë është si vijon: 1640 raste pozitive në total, 1272 të shëruar, 310 raste aktive, 39 në hospitalizim dhe 120 mostra në pritje!