Në një intervistë për DW, Vjosa Osmani, ushtruese e detyrës së Presidentit të Kosovës, ka folur për procesin në Gjykatën Speciale, dialogun me Serbinë, rolin e Gjermanisë e presidentit të zgjedhur amerikan, Biden në këtë proces.
Osmani vlerëson se nuk është momenti që të vazhdohet dialogu me Serbinë, këtë kërkesë e ka pasur edhe AAK-ja në ditën kur u konfirmua aktakuza ndaj Thaçit, Veselit, Krasniqit e Selimit.
“Unë mendoj që për shkak të zhvillimeve aktuale tani nuk është momenti që të vazhdohet dialogu menjëherë. Dhe duhet që institucionet e Kosovës të marrin pak kohë, të ulemi, të konsultohemi mes vetes, të krijojmë një qëndrim shumë më të unifikuar rreth dialogut, sepse është e domosdoshme që kushdo që negocion në emër të Kosovës, për fatin e Kosovës, të ketë një qëndrim shumë më të unifikuar të spektrit politik se sa vetëm të koalicionit që përfaqëson. Unë do të jap kontributin tim maksimal në këtë drejtim, që të diskutojmë së bashku me të gjithë, lidhur me atë se cilat do të duhet të ishin qëndrimet e Kosovës.
Por tani nuk besoj se është momenti i duhur, që Kosova të vazhdojë kinse asgjë nuk ka ndodhur. Jo se nuk i ka institucionet. Institucionet janë. Mirëpo për shkak se situata nuk është e njëjtë, siç ishte para disa ditësh. Kjo duhet të merret parasysh. Duhet të bëhet një rievaluim i procesit të deritanishëm, çfarë është negociuar, si është negociuar, çfarë është arritur, sado pak që mund të ketë qenë ajo e arritur. Por të gjithë bashkarisht, t’i ndërtojmë hapat më tutje. Dhe të mos kemi raste kur negociohet diçka në Bruksel, dhe ne si institucione të tjera e marrim vesh pastaj qoftë nëpërmjet Brukselit, ose zyrtarëve atje, qoftë nëpërmjet mediave. Por të jenë këto një lloj konsultimi paraprak, një lloj komunikimi paraprak i qëndrimit që pastaj kushdo që negocion në emër të Kosovës, ta ketë më të qartë çfarë pret Kosova prej tij ose prej saj”, është shprehur Osmani.