Në ora 13:00 në zyrën e kryeministrit Avdullah Hoti në mënyrë virtuale do të mblidhen disa nga ministrat e Qeverisë që ai drejton. Hoti do të diskutojë me ta rreth masave anti-Covid që pritet sot të miratohen nga ana e Qeverisë.
Lajmin se Hoti do të takohet me ministrat e ka konfirmuar Vesel Krasniqi, ministër i Tregtisë dhe Industrisë.
“Më kanë kontaktuar nga kabineti i ministrit Hoti. Në ora 13:00 do të kemi një takim rreth masave anti-Covid”, ka thënë Krasniqi për Express.
Propozimi i masave të reja për parandalimin e përhapjes së virusit Covid-19 ndonëse u tha se do të miratohen gjatë ditës së djeshme, një gjë e tillë nuk ndodhi.
E në takimin që pritet të niset pas pak, pritet që të marrë pjesë edhe ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj.
Por jo të gjithë janë të pajtimit që të mbyllen bizneset në Kosovë. Ministri Krasniqi tha se është kundër këtij vendimi.
“Bizneset dhe gastronomia pritet të dëmtohen shumë”, thotë ai.
E autoritetet kompetente shëndetësore kanë propozuar një varg masash për parandalimin e sëmundjes COVID-19, që shkakton ky virus.
Komunat e Kosovës, sipas këtij propozimi të Ministrisë së Shëndetësisë, do të ndahen në tri zona të rrezikshmërisë: zona e kuqe me rrezikshmëri të lartë, zona e verdhë me rrezikshmëri mesatare dhe zona e gjelbër, e cila ka rrezikshmërinë më të ulët.
Policia e Kosovës duke kontrolluar vetura, në kohën kur ishin në fuqi masat e kufizimit të lëvizjes.
Këto masa është propozuar të jenë në fuqi për një periudhë njëjavore.
Propozimi i zyrtarëve të kësaj ministrie ka ardhur pas rritjes së numrit të rasteve të prekura me këtë virus në baza ditore në Kosovë.
Vetëm të hënën, Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike ka regjistruar 637 të infektuar me 13 viktima me këtë virus.
Që nga fillimi i pandemisë në Kosovë janë regjistruar 24,792 të infektuar, prej të cilëve 768 kanë vdekur.