Ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj, ka thënë se të mërkurën bashkë me kryeministrin Avdullah Hoti do t’i shpallin masat e reja.
Por, ai tha se shkollat do të vazhdojnë të punojnë sipas masave që veçse janë ndërmarrë dhe se do të bëjnë çmos që të mos i mbyllin, ato të nivelit fillor dhe të mesëm, njofton Klan Kosova.
Ndërkaq, ai paralajmëroi mbyllje për qendrat tregtare dhe në ato vende ku po grumbullohen njerëzit, të cilat edhe i bëri përgjegjëse për rritjen e infeksionit.
“E kemi një standard në shkolla ku çdo pesë për qind, qoftë e nxënësve, qoftë e mësimdhënësve, nëse rezultojnë pozitivë kalojnë nga plani A në planin B dhe do të mbikëqyrën. Shkollat do të bëjmë të pamundur që të mos i mbyllim në nivelin fillor dhe të mesëm, ndërsa universiteti ka kaluar online”.
“Në aspektet tjera ka dhe do të ketë edhe kufizim të lëvizjeve edhe mbyllje të qendrave tregtare. Ky vlerësim është sepse grumbullimet janë bërë shkaktarë të infeksionit”.
“Është duke u analizuar gjendja edhe me protokollet dhe udhëzuesit, si dhe me OBSH-në. Kemi folur edhe me kryetarët e komunave dhe do të shkojmë me tri nivele: Zona e gjelbër, zona e verdhë dhe zona e kuqe. Prishtina e ka kaluar numrin dhe tani gjendet në zonën e kuqe. Prishtina është atakuar shumë në këtë dyjavësh dhe domosdoshmërisht duhet të jenë masat më të ashpra se në komunat tjera. Por edhe në disa komuna ka rritje të rasteve dhe nesër do ta kemi të qartë hartën epidemiologjike”.