Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, pas fuqizimit të masave të reja për parandalimin e transmetimit të coronavirusit, i ka porositur qytetarët që të respektojnë vendimet e reja të qeverisë.
Hoti, përmes një postimi në llogarinë e tij në ‘Facebook’, ka porositur qytetarët që të mos ua “vështirësojnë punën” atyre që janë në krye të detyrës.
“Të nderuar qytetarë, nga sonte janë në fuqi masat e reja për secilën komunë bazuar në numrit e të infektuarve në shtatë ditët e fundit. Pa ndihmën e juaj nuk mund të arrijmë sukses. Mjekët, infermierët, stafi teknik, policia, inspektoratet dhe shtabet emergjente, janë në krye të detyrës. Mos ua vështirësoni atyre punën dhe vetes jetën. Mos e shtoni numrin e të infektuarve nga pakujdesia”, ka shkruar i pari i ekzekutivit në ‘Facebook’.
Qeveria e Kosovës ka miratuar të enjten masat e reja për parandalimin e përhapjes së COVID-19, të cilat kanë hyrë në fuqi të premten në ora 18:00.
Masat e marra parashohin tri zona të rrezikshmërisë, sipas numrit të të infektuarve nëpër komuna: zona e kuqe me rrezikshmëri të lartë, zona e verdhë me rrezikshmëri mesatare dhe zona e gjelbër e cila ka rrezikshmërinë më të ulët.
Komunat me rrezik të lartë të infeksionit janë ato që kanë mbi 150 persona të infektuar në 100.000 brenda javës. Këtu janë komuna e Prishtinës, Podujevës, Ferizajt, Gjakovës, Gjilanit, Pejës, Mitrovicës, Fushë Kosovës, Shtimes dhe Obliliqit.
Në këto komuna, ndalohen hyrjet dhe daljet e qytetarëve dhe automjeteve nga ora 19:00 deri ne orën 05:00, përveç për nevoja emergjente dhe shëndetësore, duke përjashtuar nga kjo masë personelin shëndetësor, të sigurisë, drejtësisë dhe të ngjashme.
Gjatë kësaj periudhe ndalohet edhe veprimtaria e gastronomisë. Ndërkaq transporti publik lejohet të punojë me 50 për qind të kapaciteteve, duke respektuar Manualin për mbrojtje nga COVID-19. Taksitë do të lejohen të punojnë vetëm me një pasagjer prapa ose tre, nëse janë anëtarë të familjes.