Ligji për Rimëkëmbje Ekonomike ende s’është miratuar, përkundër që në lexim të parë është aprovuar në Kuvendin e Kosovës, shkruan GazetaBlic.
Ky projektligj është votuar në një seancë të jashtëzakonshme, me 64 vota për, asnjë kundër dhe asnjë abstenim. I njëjti kap vlerën e 385 milionë eurove.
Në po të njëjtin, është paraparë edhe ai për tërheqje e 10 për qind të kursimeve pensionale në Trust. Por, ky Ligj nuk ka arritur ende të miratohet në lexim të dytë.
E kjo, për njohësin e çështjeve ekonomike, Safet Gërxhaliu ky ligj në vete është i stërvonuar.
Gërxhaliu thekson se nga moskoordinimi i spektrit politik, sipas tij, po e pësojnë bizneset dhe qytetarët kosovarë.
“Vërtetë ky Ligj është vonuar jashtëzakonisht shumë, pasi kanë kaluar muaj të tërë. Prandaj, për të kaluar një ligj i tillë duhet të ketë koordinim mes spektrit politik. Çmimin më të lartë të kësaj klase politike po e pësojnë qytetarët dhe bizneset në Kosovë. Duhet të evitohet një situatë e tillë, e cila mund të shndërrohet në një katastrofë sociale. Çdo ditë kemi numër të punëtorëve të larguar, çdo ditë kemi mbyllje të bizneseve, kemi tkurrje të të hyrave qoftë në doganë dhe ATK.
Kjo e dëshmon mjerimin aktual në Kosovë. Tani është koha që të reflektojnë. Ky ligj është i stërvonuar, pasi vendet e rajonit i kanë kryer dhe miratuar strategji për të dalë nga situata me COVID-19.
E, këtu në Kosovë ende kemi pakon emergjente dhe atë të Rimëkëmbjes Ekonomike, e që nga marsi e deri më tani janë shpenzuar vetëm mbi 200 milionë euro, me të cilat nuk mund të rimëkëmbet një ekonomi e dëmtuar dhe e politizuar”, thotë ai.
Ndërkaq, kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Berat Rukiqi thotë se mos votimi në lexim të dytë i Projektligjit për rimëkëmbje ekonomike, ka të bëjë me çështje të brendshme të koalicionit.
Rukiqi në një intervistë për Gazetën Blic, ka theksuar se ky ligj është viktimë e hesapeve të ndryshme politike.
“Ky ligj është duke u bllokuar duke prit negociata për çështje që nuk lidhën fare me ligjin. Po tash me gjasë ka mbetur peng i çështjeve që nuk lidhen me ligjin dhe që janë edhe brenda koalicionit qeveritar edhe me opozitë, ky ligj është viktimë e hesapeve të ndryshme në politikat ditore dhe që nuk do të duhet të ishte sepse rimëkëmbja ekonomike është interes nacional nuk është çështje partiake”, deklaron Rukiqi.
Në anën tjetër, zëvendëskryeministri i Kosovës, Driton Selmanaj, ka thënë se nëse dështon kalimi i Ligjit për Rimëkëmbje atëherë i humb kuptimi kësaj qeverie.Selmanaj ka thënë në t7 se votimi i këtij projektligji duhet të ndodhë brenda një afati optimal.
”Nëse nuk kalon Projektligji për Rimëkëmbje atëherë i humb kuptimi qëndrimit të kësaj qeverie”, tha Selmanaj.Ndryshe, më 11 nëntir dështoi të zhvillohe seanca e jashtëzakonshme e Kuvendit të Kosovës, ku pritej të diskutohej në lexim të dytë Projektligji për rimëkëmbje ekonomike. Kjo, për shkak të mungesës së kuorumit.
Ndryshe, qëllimi i këtij Projektligji është plotësimi dhe ndryshimi i disa ligjeve, me qëllim të rimëkëmbjes së ekonomisë së Republikës së Kosovës, pas efekteve negative të shkaktuara nga pandemia COVID -19./GazetaBlic