Kryetari i Komunës së Gjilanit, z. Haziri prezantoi perspektivën e tij mbi mundësitë për zhvillimin lokal të ndërmarrësisë gjatë forumit virtual “Përkrahja e Ndërmarrësisë: Një perspektivë lokale”, e organizuar nga Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë në kuadër të aktivitetit Java Globale e Ndërmarrësisë 2020.
“Komuna e Gjilanit posedon Strategjinë lokale për zhvillim socio-ekonomik dhe Strategjinë për Gratë në Ndërmarrësi që kanë për synim të sigurojnë një mjedis më të favorshëm ku mund të zhvillohen aktivitete afariste të cilat ndikojnë në rritje të qëndrueshme ekonomike e që mund të arrihet përmes “promovimit të konkurrencës, ndërmarrësisë dhe inovacionit”. Strategjitë gjithashtu kanë në fokus uljen e shkallës së papunësinë, veçanërisht tek të rinjtë, përmes “inkurajimit të ndërmarrësisë”, ka thënë Haziri.
Ai theksoi se prioritet është promovimi i mundësive për biznese dhe aktivitete të përbashkëta midis komunës dhe sektorit privat për pjesëmarrjen e sektorit privat në projekte publike dhe rritjen e mundësive të bizneseve për ofrimin e produkteve më të mira, shërbime më të mira për realizim te projekteve PPP në fusha të ndryshme si infrastrukturë, turizëm, energji etj., të cilat mund të çojnë në zhvillim të qëndrueshëm lokal ekonomik në planin afatgjatë.
Komuna brenda kompetencave dhe me efikasitet ofron një numër të madh shërbimesh komunitetit të biznesit me qëllim të krijimit të lehtësirave përmes dhënies në shfrytëzim të pronave publike bizneseve prodhuese të cilat kanë plane për zgjerim dhe krijimin e vendeve të reja të punës, tha Haziri.
Komuna gjatë muajit Qershor 2020 ka zhvilluar një studim me biznese për të vlerësuar ndikimin e pandemisë në ekonominë lokale dhe të gjeturat tregojnë se janë ndikuar negativisht të gjithë sektorët e ekonomisë dhe se pandemia rrezikon më së shumti bizneset e vogla, shtoi Haziri.
Ndër tjerash, Haziri shoi se “brenda mundësive dhe kapaciteteve kemi krijuar pako me masa lehtësuese për biznese që kanë për qëllim rikuperimin e ekonomisë lokale, mirëpo kërkohet koordinim dhe mbështetje edhe nga qeveria e Kosovës për të ndërhyrë me mekanizma me qëllim zbutjen e krizës së shkaktuar edhe pas pandemisë Covid-19”.
“Një tjetër prioritet kyç është edhe funksionalizimi i Inkubatorit të Biznesit dhe transformimi në një Qendër Inovacioni pasi krijon mundësi jo vetëm për ofrimin e hapësirës dhe trajnimeve për bizneset e reja në fushën e teknologjisë informative, por edhe për faktin se në njërën anë kemi potencialin human dhe në anën tjetër kemi Drejtimin e Shkencave Kompjuterike në UP. Inkubatori i biznesit gjithashtu do të ndikojë edhe në ndërlidhjen e tregut të punës me sistemin e arsimit dhe inkurajimin e ndërmarrësisë në fushën e teknologjisë informative”, ka shtuar kreu i Gjilanit.
Në fund, Haziri ka thënë se komunitetin e biznesit lokal e sheh si shtytës të rritjes ekonomike, sepse ndërmarrësit sigurojnë punë, shërbime e produkte, të cilat që kanë ndikim në ngritjen e cilësisë së jetësës për qytetarët e Gjilanit dhe rajonit.