Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, ka thënë se ai e ka bërë të qartë se partitë parlamentare i kanë dy opsione, të gjejnë zgjidhje për çështjen e presidentit ose të dakordohen për datën e zgjedhjeve, por asnjëherë nuk ka përmendur dorëheqjen e tij si opsion.
Përmes një postimi në rrjetin social Facebook, ai ka thënë se informacionet që po qarkullojnë në medie për dorëheqjen e tij janë të pavërteta, shkruan Reporteri.net.
Po ashtu Hoti thotë se me veprimet e tij ka dëshmuar gatishmëri e përkushtim ëpr to ofruar zgjidhje për të gjitha çështjet e ngritura, duke zhbllokuar sipas tij edhe proceset komplekset nëpër të cilat ka kaluar vendi.
Ky reagim i Hotit erdhi pas deklaratës së analistit Astrit Gashi mbrëmë në Debat Plus, i cili tha se ka informacione se kryeministri Avdullah Hoti ka ofruar dorëheqjen e tij.
“Ka informacione që kryeministri Hoti ka ofruar dorëheqjen. Është i gatshëm të jap dorëheqjen”, tha Gashi.
Ai është shprehur se në dy javët e ardhshme do të vendoset nëse vendi do të shkojë në zgjedhje.
“Jemi në një situatë, kur është dyjavëshi final ku do të dihet nëse do të shkojmë në zgjedhje, apo kjo qeveri do të vazhdojë. Kupa është mbushur ’, tha Gashi.
Ky është postimi i plotë i Hotit:
Informacionet të cilat po qarkullojnë nëpër media për dorëheqjen time janë të pa vërteta.
Me veprimet e mia kam dëshmuar gatishmëri e përkushtim për të ofruar zgjidhje për të gjitha çështjet e ngritura, duke zhbllokuar madje edhe proceset komplekse nëpër të cilat ka kaluar vendi siç ishte vendimi për vazhdimin e dialogut me parime dhe arritja e marrëveshje së 4 shtatorit në Uashington, hartimi i pakos emergjente dhe asaj për rimëkëmbje ekonomike dhe masat konkrete në menaxhimin e pandemisë Covid -19.
Sa i përket zhvillimeve të fundit pas veprimeve të Dhomave të Specializuara dhe dorëheqjes së ish Presidentit Thaçi, e kam bërë të qartë se partitë parlamentare i kanë dy opsione, të gjejnë zgjidhje për çështjen e Presidentit ose të dakordohen për datën e zgjedhjeve. Por, asnjëherë në asnjë kontekst nuk e kam përmendur dorëheqjen si opsion.