Kryeministri, Avdullah Hoti, është takuar gjatë ditës me përfaqësues të Shoqatës së Gastronomëve dhe të Rrjetit të Shitësve me Pakicë, ku u ka premtuar se ndihma ndaj tyre, në vetëm tre mujorin e parë të vitit të ardhshëm do të jetë prej 200-220 milionë euro.
Gjithashtu, Hoti thotë se gastronomëve do t’u zbritet TVSH-ja nga 18% në 8 % për këtë vit.
Shkrimi i plotë nga kryeministri Hoti:
Sot takova përfaqësuesit e Shoqatës së Gastronomëve dhe të Rrjetit të Shitësve me Pakicë, të cilët i sigurova për përkushtimin e Qeverisë në vazhdimin e mbështetjes dhe thellimin e bashkëpunimit përballë situatës së krijuar nga pandemia Covid-19, me qëllim të mbrojtjes së shëndetit të qytetarëve dhe të bizneseve.
Po ashtu, i njoftova se pakoja e re mbështetëse do të jetë në vlerë prej 200-220 milion euro, për tre mujorin e parë të vitit 2021, ku midis tjerash përfshihet edhe zbritja e TVSH-së nga 18% në 8 % për këtë vit, masa këto të parapara me Ligjin për Rimëkëmbje Ekonomike.