Komuna e Gjilanit në bashkëpunim me institucionet publike, ka mbajtur një aktivitet kundër dhunës në familje me moton “Familja është e shenjtë, mos e shkatërro”, në kuadër të “16 ditë të aktivizmit kundër dhunës”.
Kryetari i Komunës, Lutfi Haziri, u cili e ka mbështetur këtë dhe aktivitetet tjera të kësaj natyre, ka porositur qytetarët që ta raportojnë dhunën për të mos lejuar që të bëhemi pjesë e kronikës së zezë.
“Falënderoj Mekanizmin komunal kundër dhënës në familje që është institucioni ndër-sektorial, i cili merret me parandalim dhe ndihmon çdo familje dhe rast që ka nevojë të mbrohet nga çdo lloj i dhunës. Ne jemi Komuna e parë që ka shtëpinë mbrojtëse prej vitit 2000 dhe tash po e përgatisim pavarësimin e plotë të këtyre mekanizmave dhe ndërtimin e objekteve që do ta mbrojnë dinjitetin e çdo familje e personi që ka nevojë për mbështetje institucionale”, tha Haziri.
Kryesuesja e Kuvendit Komunal të Gjilanit, Shpresa Kurteshi-Emini, tha se ky dhe aktivitetet tjera kanë për qëllim që të gjithë së bashku si insitucione ta luftojmë këtë dukuri të shëmtuar të shoqërisë.
Në fund, zyrtarja për barazi gjinore, Lindita Salihu, tha se në kuadër të shënimit të Muajit të Portokalltë, do të ketë aktivitete vetëdijësuese të vazhdueshme, që nga parandalimi, mbrojtja deri te rintigrimi dhe rehabilitimi i viktimave të dhunës në familje.