Një studim mbi rolin e lajmeve të rreme në Ballkanin Perëndimor, i prezantuar në Parlamentin Europian (PE) thotë se fenomeni i dezinformimit në Kosovë ka pasur implikime të drejtpërdrejta politike që shkaktuan edhe rënien e Qeverisë së Albin Kurtit.
“Vetë koalicioni ishte jetëshkurtër dhe u rrezua nga një operacioni dezinformues amerikan”, thuhet në studimin e publikuar, i cili u bë nga disa autorë evropianë, të porositur për nevojat e Komitetit të Politikës së Jashtme të PE (AFET).
Ky studim tregon për trendet dhe modelet kryesore të dezinformatave dhe luftën kundër dezinformatave në gjithë rajonin në periudhën nga viti 2018 deri më 2020.
Dokumenti shpjegon angazhimin e presidentit të Shteteve të Bashkuara, Donald Trump dhe emërimin e të dërguarit të tij të posaçëm për bisedimet ndërmjet Serbisë dhe Kosovës, Richard Grenell.
“I frustruar nga ajo që ai e pa si pengesë nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ambasadori Grenell si duket aranzhoi që senatori David Perude dhe djalin e presidentit amerikan, Donald Trump Jr. të bënin një deklaratë në Twitter që sugjeronte se trupat amerikane do të tërhiqeshin nga Kosova. Ambasadori Grenell vazhdoi ta mbante këtë kërcënim – i cili nuk ishte bërë nga asnjë zyrtar amerikan – në negociatat me partnerët e koalicionit të Kurtit, duke bërë që të ngrihej një mocion mosbesimi që rrëzoi Qeverinë Kurti. Kjo lëvizje gjerësisht është dënuar në Evropë, përfshirë edhe përmes një demarshi të përbashkët të ambasadorëve të Francës dhe Gjermanisë në Prishtinë. Ky shembull tregon se si një aktor i huaj ishte në gjendje të prodhonte një kërcënim krejtësisht të trilluar dhe në këtë mënyrë të shtynte drejt ndryshimit të qeverisë”, thuhet në studim.
Më 20 prill, teksa ishte kryeministër në detyrë, Albin Kurti, gjatë një konference online për mediat ndërkombëtare deklaroi se mocionin e mosbesimit LDK-ja e kishte bërë në koordinim me Grenellin, duke argumentuar se qeveria e tij u rrëzua vetëm pse Grenellit po i ngutet “që të nënshkruajë marrëveshje me Serbinë”.
Sipas pretendimeve në këtë dokument, të cilat janë bërë sipas analizës së mediave sociale, si mediat ashtu edhe politikanët u përfshin në këtë fushatë, të cilën studimi i identifikon si “kanale kryesore të dezinformimit në Kosovë”. Në dokument përmenden media të caktuara me ndikim në Kosovë, si dhe kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, dhe (tani ish) kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli.
“Mesazhet në rrjetet sociale që vinin nga Mustafa dhe Veseli, posaçërisht kanë nxitur mashtrimin e aferës Grenell”, thuhet në dokument.
Autorët e studimit pretendojnë se çështja e Kosovës ilustron më së miri kompleksitetin e fenomenit lajmeve të rreme dhe se ky është një rast i rrallë ku ky “rezultat politik mund të atribuohet drejtpërdrejt keqinformim”.
Më 25 mars, Kuvendi i Kosovës me 82 vota rrëzoi Qeverinë Kurti pas mocionit të ngritur nga partnerja e koalicionit, Lidhja Demokratike e Kosovës.
LDK-ja argumentoi se deri te mocioni erdhi për shkak të pozicionimit “jokonstruktiv” të Kurtit karshi partnerëve, në veçanti SHBA-së.
Qeveria Kurti ishte zgjedhur më 3 shkurt.
Dezinformimi, “epidemi në Ballkanin Perëndimor”
Në studim thuhet se dezinformimi është pjesë epidemike në politikën në gjithë rajonin e Ballkanit Perëndimor, “pa përjashtim”. Megjithatë, ky dezinformim, sipas studimit, diskutohet shpesh në kontekstin e kërcënimeve nga jashtë karshi funksionimit të qeverisjeve dhe demokracisë. Ky studim tregon se megjithatë, për këtë, aktorët e huaj nuk janë fajtorët kryesorë për këtë gjë. Shumica e njerëzve dhe organizatave që prodhojnë dhe shpërndajnë lajme të rreme janë brenda vetë shteteve të Ballkanit.
Në shtetet – siç është Serbia dhe Mali i Zi – ku politika dominohet nga një grup i vetëm, dezinformimi ka të ngjarë të ndjekë “linjën e partisë”, duke i shërbyer interesave të të pushtetshmëve dhe duke minuar opozitën.
Në mjedise më garuese politike – siç është Kosova, Shqipëria dhe deri diku edhe Maqedonia e Veriut – studimi thotë se dezinformimi tenton të përdoret në mënyrë oportuniste nga të gjitha palët, duke ndjekur qëllime afatshkurtra dhe afatgjate.
Në Shqipëri, dezinformimi gjendet kudo në garën e brendshme politike, por përpjekjet janë përgjithësisht oportuniste dhe fushatat dezinformuese janë afatshkurtra. Studimi nxjerr në pah se ka pak prova që dëshmojë se ka pasur përpjekje të aktorëve të jashtëm që të ndikojnë në politikën e brendshme shqiptare.
Ndasitë e thella etnike ose sektare – si në Bosnjë e Hercegovinë dhe Maqedoni të Veriut – kanë nxitur fushata të dezinformimit dhe ksenofobisë nga aktorë vendas dhe të huaj, theksohet në studim.
Në Maqedoninë e Veriut, ndryshimi i qeverisë së fundmi, ka bërë që dezinformimi të largohet nga mediat kryesore dhe shtetit, por megjithatë dezinformimi mbetet forcë e fuqishme që shtrembëron politikën e brendshme. Dezinformimi ka qenë krucial sa i përket pjesëmarrjes së qytetarëve në referendumin e mbajtur për ndryshimin e emrit të shtetit.
Kur sovraniteti i qeverisë është i ri apo është i sfiduar – siç është në rastin e Bosnjë e Hercegovinës, Kosovës, Maqedonisë së Veriut dhe deri diku në Mal të Zi – politikat janë veçanërisht të ndjeshme ndaj ndërhyrjeve të motivuara nga gjeopolitika.
Si aktorët e brendshëm, ashtu edhe ata të jashtëm kanë përdorur dezinformimin për të minuar kredibilitetin e Bashkimit Evropian në Ballkanin Perëndimor, duke amplifikuar dhe manipuluar ndarjet ekzistuese ndërmjet “idealistëve të BE-së (të cilët janë të përkushtuar për identitetin evropian të shtetit të tyre) dhe “realistëve të BE-së” (të cilët mund të mos e kundërshtojnë integrimin në BE, por nuk besojnë se kjo gjë mund të ndodhë). Përderisa Kina dhe Turqia, që të dyja këto shtete janë aktive në këtë fushë, përpjekjet për të diskredituar BE-në donimohen nga Rusia, që ka një infrastrukturë të madhe në manipulimin media në gjithë rajonin.
Pandemia COVID-19 ka siguruar një terren për dezinformatat. Qeveritë në mbarë Ballkanin Perëndimor janë përpjekur që të falsifikojnë rastet me koronavirus apo mënyrën se si po e menaxhojnë pandeminë, ndërsa të tjerët kanë injektuar në opinion lajme të rreme që i kanë dëgjuar. Përveç kësaj, Kina dhe një masë më të vogël edhe Rusia, e kanë përdorur pandeminë si një mundësi për të rritur ndikimin e tyre në rajon, në kurriz të BE-së, thuhet në studim./REL/