Mjekëve në Angli u është thënë që të fillojnë me vaksinimin për COVID-19 të stafit, duke filluar që nga 14 dhjetori.
Sipas The Guardian, përcjell Telegrafi, në një letër të dërguar në të gjithë rrjetet e kujdesit primar të Anglisë, “NHS England” dhe “NHS Improvement” paralajmëruan “shkallën dhe kompleksitetin” e programit të imunizimit do ta bënin atë “një nga sfidat më të mëdha që NHS ka hasur ndonjëherë”.
Letra u nënshkrua nga Dr Nikita Kanani, drejtore mjekësore për kujdesin parësor në NHS England dhe NHS Improvement dhe Ed Waller, drejtor i kujdesit parësor.
“Është thelbësore që ne të fillojmë të aktivizojmë shërbimet lokale të vaksinimit për të lejuar grupet prioritare të pacientëve të fillojnë të përdorin vaksinën”, tha ajo.
Siç thuhet më tej, vendet e vaksinimit duhet të jenë të gatshme për të administruar 975 doza të vaksinës për pacientët me përparësi brenda tre ditësh e gjysmë, që nga shpërndarja më 14 dhjetor.
Shpejtësia është thelbësore me vaksinën, pasi ajo zakonisht ruhet në -70C dhe do të mbetet “e qëndrueshme” vetëm në temperaturat e frigoriferit ndërmjet 2C-8C për një periudhë të kufizuar.
The Guardian shkruan se ekzistojnë 975 doza në secilën prej paketave të vaksinave të Pfizer/BioNTech, gjë që ka paraqitur një problem logjistik se si ato mund të ndahen dhe shpërndahen në vendet e tjera kryesore, siç janë shtëpitë e kujdesit.
Njerëzit e parë që do të marrin vaksinën në qendra do të jenë ata të moshës 80 vjeç e lart, për sa kohë që faktorët e tjerë të tyre të rrezikut, “klinikë ose ndryshe”, janë marrë parasysh. /Telegrafi/