Shkruan: Bardh Gashi
Kohë më parë, z. Nehat Idrizi paraqiti kandidaturën për President të Republikës së Kosovës. Mbase, për një pjesë të opinionit, kandidatura e tij është parë me një dozë dyshimi, duke pasur parasysh se ai nuk është pjesë e ndonjë partie politike. Por, fakti që ai nuk vjen nga “terreni i egër” politik, e bën edhe më shumë të përshtatshme kandidaturën e z. Idrizipër kreun e shtetit.
Pse?
Nehat Idrizi është doktor i shkencave juridike dhe profesor universitar. Ai shquhet për përkushtim e korrektësi në punë. Përvoja e tij si gjykatës dhe Kryesues i Këshillit Gjyqësor të Kosovës e bën atë një figurë më të pranueshme jo vetëm për qytetarin e Kosovës, por edhe për bashkësinë ndërkombëtare në Kosovë. Njëra dhe pala tjetër janë të lodhur dhe të zhgënjyer nga spektri politik tash e njëzet vite me radhë, për çka s’duhet shumë mend për ta kuptuar. Bashkësia ndërkombëtare në Kosovë kërkon ndryshime në qeverisje, kërkon njerëz me vizion e patriotë të vërtetë, të tillë që i shërbejnë shtetit dhe jo që e rrjepin atë. Shekulli XXI kërkon koka dhe jo muskuj… Dhe, në figurën e dr. Nehat Idrizit, ata shohin pikënisjen për ndryshime në Kosovë; shkëputjen nga mentaliteti e kultura politike lindore dhe orientimin drejt mentalitetit e kulturës politike perëndimore. Në favor të kandidaturës së z. Idrizi nuk janë vetëm ambasadat e huaja në Kosovë, pa kontributin e të cilëve vështirë se mund të zgjidhet një president në rrethanat e tanishme, po patëm parasysh grykësinë e partive politike, mandej grykës të shumtë brenda secilës parti. Ndërkombëtarët, ndërkaq, sa e sa herë kanë kërkuar një president jo partiak. Të tillë e duan edhe Lëvizja Vetëvendosje, si partia më e madhe në vend, si dhe institucione të fuqishme vendore.
Po të shohim me kujdes qëndrimin ndërkombëtar, gjendjen në të cilën janë katandisur LDK e PDK, këmbëngulësinë jo parimore e lakmitare të AAK-së, pa asnjë dyshim mund të pohohet se Nehat Idrizi do të jetë President i ardhshëm i Republikës së Kosovës. Në fakt, kjo tashmë është çështje e kryer. Priten vetëm procedurat formale. Këtë e dinë të gjitha partitë politike.