Qytetarët ka herë janë mësuar që në shtëpitë e shëndetit e spitalet tona të mungojnë shumë gjëra, madje edhe shiringat e barërat e listës esenciale. Për këto gjëra janë të ditura nga intervistat e pacientëve që shkojnë për kurim, qoftë kur këshillohen për terapi në shtëpi, qoftë nga ata që janë të shtrirë në spital.
Pra qytetarët sapo marrin recetat mjekësore drejtohen për në barnatore, qoftë për barëra, qoftë për injeksione apo infuzione. Kurse tash, kur pandemia me Covid 19 po shkon çdo ditë drejtë rritjes me përmasa matematike e gjeometrike, e spitalet janë të stërmbushur me pacientë, madje edhe nuk ka vende të mjaftueshme dhe për këtë arsye shumë pacientë qëndrojnë në shtëpitë e tyre, të mungojë oksigjeni për pacientët e infektuar me Covid 19 është më shumë se katastrofale.
Institucionet përgjegjëse, në vend se të tregojnë realitetin dhe të përpiqen të gjejnë zgjidhje, dalin përmes mediave dhe shpërndajnë mjegull se si gjithçka është në rregull, se po ja dalin me të gjitha, ndonëse me javë nuk bie numri dy shifror i vdekjeve, siç ndodhi edhe këto ditë me rastin e vizitës krekosëse të Ministrit të Shëndetësisë Armend Zemaj në Gjilan.
E në anën tjetër i bien në qafë ndonjë zyrtari, i cili ndjehet përgjegjës dhe ngre alarmin për të siguruar oksigjenin, i cili mungon në spitalin e Gjilanit e që nënkupton jetë për pacientët me Covid. Këtë të vërtetë e dinë edhe qytetarët, të cilët detyrohen që edhe “në të zezë” të gjejnë këtë “artikull” të domosdoshëm për njerëzit e tyre të infektuar. Madje duke rrezikuar që ai të mos jetë i sigurt dhe që blihet me çmime të shtrenjta e sigurohet nga jo kompetent e biznese pa licencë për këtë gjë.
Pra, nuk kemi angazhim që institucionet përgjegjëse ta sigurojnë oksigjenin për pacientët, por harxhojnë kohë, energji e përkushtim për ta “demantuar” të vërtetën e thënë nga punëtorët, stafi apo drejtorët e institucioneve shëndetësore.
Jetëshkurtë e i mjerë është ai pushtet që i frikësohet dhe përpiqet ta mbys të vërtetën, para qytetarëve të vet, të cilët para se dikush të mundohet t’ua përshkruaj atë realitet në mënyrën e vet, ata janë duke e jetuar atë si thuhet “në lëkurën e tyre”, por disa për fat të keq edhe s’po mund ta jetojnë më.
Të sigurohet Oksigjeni për pacientët, është jetike, ata kanë nevojë për të. S’ka vlerë që kompenson jetën e njeriut. E mira së mirës është që qytetarët të ruajnë shëndetin e tyre, të mbajnë maska e distancë dhe të shmangin sa më shumë grumbullimet.