Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Isa Mustafa javë më parë paralajmëroj organizmin e një tryeze me partitë politike për të diskutuar lidhur me çështjen e zgjedhjes së Presidentit të ri të Kosovës.
Por deri tash nuk ka diçka konkrete në realizimin e këtij takimi ku do të merrnin pjesë të gjitha partitë politike në pushtet dhe në opozitë.
I pari i LDK-së, ka thënë se nuk ka gatishmëri të partive politike për një tryezë e tillë.
“Jam në kontakte me subjektet politike parlamentare, përveç LVV-së. Nuk ka akoma një gatishmëri për tryezë në të cilën merr pjesë edhe opozita ose një pjesë e saj”, ka thënë Mustafa.
Mustafa më tej shtoi se ka këmbëngulje nga disa parti që e votojnë vetëm kandidatin e tyre për president dhe jo ndonjë kandidat tjetër.
Ai theksoi se në këtë situatë jemi duke rrëshqitur drejt zgjedhjeve.
“Ka deklarata dhe këmbëngulje publike se votojnë vetëm kandidatin e tyre për president dhe jo të një subjekti tjetër. Kjo dëshmon se beteja po zhvillohet në media dhe në debate, por se akoma nuk ka gatishmëri për tryezë. Koha po ikën dhe po rrëshqasim në zgjedhje”, u shpreh Mustafa për Telegrafin.
Kujtojmë se kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj ka deklaruar se do të jetë kandidat për president, dhe për marrjen e këtij posti AAK-ja është duke këmbëngulur se ky post iu takon atyre.
Haradinaj ka deklaruar se nëse bëhet president, nuk do të kthehet në AAK pasi t’i përfundojë mandati.
E nga ana e PDK-së, kryetari në detyrë i kësaj partie, Enver Hoxhaj ka deklaruar sot se kjo parti nuk shtantazhohet dhe se nuk do të lejoj që dikush ta marr peng shtetin e Kosovës.
Hoxhaj shtoi se PDK nuk do të bëhet palë e një procesi që do të prodhonte një president që thellon përçarjen e brendshme dhe e izolon Kosovën jashtë.