Rimbursimi i mjeteve për gjithë qytetarët që tërheqin mjetet e tyre nga Fondi i Kursimeve Pensionale parashihet të nisë në vitin 2023.
Këtë e ka bërë të ditur, drejtori i Fondit të Kursimeve Pensionale, Adrian Zalli, gjatë shqyrtimit të kërkesës së Fondit të Kursimeve Pensionale të Kosovës për miratimin e taksave vjetore për vitin 2021, në Komisionin për Buxhet dhe Transfere.
Megjithatë, rregullorja për rimbursimin e këtyre mjeteve ende nuk ka filluar të miratohet por, sipas zyrtarëve të Trustit, është duke u diskutuar. Sa i përket taksës vjetore të Trustit, Komisioni e ka miratuar.
Drejtori i FKP-së, Adrian Zalli, tha se kanë paraparë që taksa të jetë e njëjta. “Sa i përket taksës operacionale kemi paraparë që ta mbajmë të njëjtën”, tha ai. Kryesuesi i Bordit Fondi i Kursimeve Pensionale, Ruzhdi Morina, tha se nëse ka tepricë të mjeteve, do të kthehen te kontribuuesit. “Në rast se do të kemi tepricë të mjeteve si çdo vit u kthehen kontribuuesve, kurse nëse kemi mungesa i drejtohemi Kuvendit”, tha ai.