Kryeministri Avdullah Hoti ka marrë dje vendim për lirimin nga detyra zëvendësministër i Punëve të Brendshme, Milan Radojeviq.
Kjo u bë me kërkesë të tij, pasi Radojeviq i fitoi zgjedhjet e 29 nëntorit si kandidati i Listës Serbe për kryetar të Mitrovicës së Veriut.
Këtë e ka konfirmuar për Insajderin, zëdhënësja e Qeverisë, Antigona Baxhaku.
“Ai është liruar nga detyra sepse ai është zgjedhur kryetar i komunës së Mitrovicës së Veriut. Për të marr detyrën e kryetarit të komunës ai duhet te lirohet nga detyra e zv/ministrit të Punëve të Brendshme. Është procedurë e rregullt sepse në raste të tilla është e paraparë me ligj” ka thënë zëdhënësja e Qeveria, Antigona Baxhaku për Insajderi.
E këtë kërkesë ai e ka bërë përmes një letre dërguar kryeministrit.
“Përndryshe ai përmes një letre i ka kërkuar KM-së të lirohet nga detyra e zv/ministrit që të mund të marr detyrën e kryetarit të komunës”, ka thënë më tutje ajo.
Në ndërkohë në zgjedhjet e 29 nëntorit, Milan Radojeviq nga Lista Serbe doli fitues në Mitrovicën e Veriut me 89.5% të votave.
Ai lë pas kandidatin e VV-së, Erden Atiq me 4% të votave dhe atë të PDK-së, Florent Azemi me 3.6%.