Qytetarët që janë larguar nga puna e tyre si pasojë e pandemisë së koronavirusit nuk do të ndihmohen nga shteti deri në vitin e ardhshëm.
Kjo kategori është paraparë që nga Ligji për rimëkëmbjen ekonomike të përfitojë për periudhën tetor deri dhjetor nga 300 euro për muaj. Sipas nenit 12 të këtij ligji “Pagat e punëtorëve në sektorin privat” është paraparë të paguhen nga buxheti i shtetit për periudhën tetor-dhjetor 2020, për ata të cilët si pasojë e pandemisë janë larguar apo pezulluar nga puna e tyre për periudhën jo më të shkurtër se tre muaj, pas datës 29 shkurt 2020, e deri më 30 dhjetor 2020.
Zëvendësministri i Financave, Agim Krasniqi, ka thënë se kjo kategori dhe disa të tjerë s’do të mund të përfitojnë nga ligji pa u miratuar Ligji për Buxhetin e vitit 2021.
“Shumë mediume dhe qytetar këto ditë po më shkruajnë e po pyesin se kur do të filloj ekzekutimi i pagesave prej 300 eurove për ata që kanë humbur vendet e punës dhe po ashtu kur do të filloj implementimi i mbështetjes për biznese duke u mbështetur në Ligjin për Rimëkëmbje Ekonomike (LRE). Në pamundësi të përgjigjeve individuale po iu njoftoj se disa nene të LRE mund të fillojnë të zbatohen këtë vit siç është rasti me tërheqjen e mjeteve të trustit, ose edhe nene tjera që nuk kërkojnë miratimin e Ligjit për buxhet për vitin 2021. Por disa nene të LRE nuk mund të zbatohen pa kaluar Ligji i buxhetit për vitin 2021 sepse kërkojnë që për implementimin e tyre të ketë ndarje buxhetore, të përcaktohet Institucioni që do të implementojë këto nene, të përcaktohen kriteret dhe mënyra e aplikimit të përfituesve. Kjo nënkupton që pagesat për ata që kanë humbur vendet e punës dhe mbështetja në vazhdim për biznese janë të lidhura me aprovimin e Ligjit të buxhetit për vitin 2021”, ka shkruar ai në Facebook.
Bazuar në ligjet aktuale, në Kosovë ekziston afati për miratim të këtij ligji deri më 31 mars të vitit 2021.
Ligji për rimëkëmbje më së shumti është përfolur për nenin që ua mundëson qytetarëve të tërheqin 10 për qind të mjeteve në Trustin pensional. Nga kjo kategori, ata që kanë më pak se 10 mijë euro në Trust, do të rimbursehen më vonë nga shteti. /rtk