Ministri i Arsimit, Ramë Likaj, ka thënë se mësimdhënësit në ditët e sotme po bëjnë një luftë të re – arsimim në kushte të pandemisë COVID-19.
Likaj, në një postim në “Facebook”, theksoi se gjatë kohës së pandemisë ka vizituar qindra shkolla në Kosovë dhe ndihet me shpresë nga përkushtimi që ka parë te mësimdhënësit për të mbajtur mësim në kushte të pandemisë në shkollë, pranë nxënësve.
Postimi i tij i plotë:
Mësimdhënësit kanë qenë misionarët kryesorë të frymëmarrjes së shoqërisë shqiptare në çdo kohë. Ata e kanë mbajtur gjallë Atdheun duke luftuar kundër analfabetizmit, kundër paditurisë, kundër çdo armiku, por janë edhe misionarët kyçë për cilësi në arsim dhe për ndryshime pozitive. Ata sot po e bëjnë një luftë të re: atë të arsimimit në kushtet e pandemisë COVID-19.
Gjatë kohës së pandemisë kam vizituar qindra shkolla në Kosovë dhe ndihem kaq me shpresë nga përkushtimi që kam parë te mësimdhënësit për të mbajtur mësim në kushte të pandemisë në shkollë, pranë nxënësve.
Mësuesit janë heronjtë e çdo kohe, sepse ata kujdesen për të ardhmen tonë!
Paçi shëndet e jetë, motiv e shumë suksese në misionin tuaj sot e gjithmonë, mësimdhënës të dashur!