Kanë mbetur edhe katër ditë që të përfundojë gjysmëvjetori i parë. Ministria e Arsimit dhe Shkencës ka marrë vendim që ky gjysmëvjetor të përfundojë më herët për shkak të pandemisë COVID-19.
Kryetari i Sindikatës së Bashkuar për Arsim, Shkencë dhe Kulturë (SBAShK) Rrahman Jasharaj, në një deklaratë për Telegrafin tha se planprogrami është realizuar në një masë të konsiderueshme.
“Planprogrami mund të jetë realizuar në një masë të konsiderueshme, pasi që në fillim kur është planifikuar është shkurtuar pak përmbajtja e planprogramit dhe besoj që mësimdhënësit brenda mundësive kanë arritur të realizojnë një pjesë të madhe të planprogramit”, tha Jasharaj.
Sa i përket orëve të humbura mësimore, Jasharaj thotë se është propozuar që pushim pranveror të mos ketë dhe që fundi i vitit të zgjatet.
“Është propozuar dhe palët mbase janë pajtuar që me fillim të gjysmëvjetorit të dytë, pushim pranveror të mos ketë, por të jetë proces mësimor, mbase do të zgjatet vitit shkollor për ndonjë ditë. SBASHK përkrah çdo angazhim në marrëveshje me ne pa u dëmtuar mësimdhënësit e Kosovës që të realizohet sa më mirë procesi mësimor në këtë vit shkollor”, u shpreh ai.
Sipas vendimit të Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës, gjysmëvjetori i parë do të përfundojë më 18 dhjetor 2020, ndërsa pushimi do të zgjasë një muaj, deri më 18 janar 2021.
Theksojmë se me fillimin e vitit të ri shkollor, Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë kishte realizuar një Master Plan për zhvillimin e mësimit në kushte pandemie.
Gjatë gjysmëvjetorit të parë të vitit shkollor nga coronavirusi janë infektuar një numër i konsiderueshëm i mësimdhënësve dhe i nxënësve. Shkollat të cilat kanë pasur raste të konfirmuara me coronavirus, kanë kaluar në mbajtjen e mësimit online.
Ndryshe, në 24-orët e fundit në Kosovë janë konfirmuar 329 raste të reja me coronavirus, ndërsa numri i viktimave ka arritur në 1 mijë e 203.